Njoftime > >
Strukturat ligjzbatuese vijojnë kontrollet e imtësishme për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë, ku brenda pak ditësh goditet një tjetër rast i mosdeklarimit të të hollave në kufi.
Shërbimet Doganore të Rinasit në bashkëpunim me Antitrafikun në Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave dhe Policinë Kufitare, në vijim të kontrolleve të imtësishme, në bazë të analizës së riskut, në hyrje të PKK Rinas, kanë kaluar në vijën e dytë, për kontroll më të detajuar të bagazheve, shtetasin turk N. P., 43 vjeç.
Si rezultat i kontrollit, shërbimet ligjzbatuese kanë gjetur të fshehura në çantën e laptopit, 33000 dollarë, të cilat ky shtetas nuk i kishte deklaruar.
Në vijim të veprimeve, shtetasi N. P., u procedua penalisht për veprën penale "Mosdeklarim në kufi i të hollave dhe i sendeve me vlerë", si dhe u sekuestrua në cilësinë e provës materiale shuma e dollarëve.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme.