Njoftime > >
Drejtoria e Përgjithshme e Doganave fton qytetarët shqiptarë të tregojnë kujdes ndaj tregtimit të paligjshëm të produkteve të akcizës, vecanërisht alkoli dhe duhani. Blerja e këtyre produkteve pa pullën fiskale, shkakton dëm të drejtpërdrejtë në të ardhurat e buxhetit të shtetit, në ekonominë e vendit dhe është një rrezik potencial ndaj shëndetit të qytetarëve.
Gjatë sezonit turistik, Administrata Doganore i kushton vëmendje të veçantë produkteve të cilat tregtohen në pikat e vogla, të mesme dhe të mëdha të shitjes në të gjithë vendin. Qëllimi këtij sensibilizimi është parandalimi i dëmit që i shkaktohet konsumatorëve vendas dhe të huaj, ekonomisë dhe bizneseve të ligjshme nga këto produkte.
Pikat e shitjes dhe konsumatorët në Shqipëri janë të rrezikuar nga kundërvajtës që tregtojnë pije alkoolike dhe produkte duhani të paligjshme ( pa pullë fiskale), madje edhe të falsifikuara. Produktet e pakontrolluara dhe të pamiratuara për tregtim përbëjnë rrezik serioz për shëndetin e konsumatorëve duke nisur nga origjina e tyre e panjohur, si dhe kushtet e prodhimit dhe të magazinimit jashtë standardeve të pranueshme.
Gjatë kontrolleve të vazhdueshme Administrata Doganore ka identifikuar shumë raste të tregtimit të paligjshëm të produkteve të duhanit dhe alkoolit dhe ka vepruar duke konfiskuar mallrat e dyshuar, si dhe duke penalizuar shitësit.
Në këtë situatë, Drejtoria e Përgjithshme e Doganave u bën thirrje tregtarëve të mbrojnë biznesin e tyre nga mashtrimi, duke u siguruar mbi besueshmërinë dhe ligjshmërinë e furnitorëve dhe furnizimeve të tyre. Një verifikim i kujdesshëm i jep mundësinë biznesit të ndershëm të kontribuojë në mbylljen e shtigjeve të përdorura nga rrjetet e organizuara të mashtrimit.
Drejtoria e Përgjithshme e Doganave është e angazhuar të ofrojë standardet më të larta të shërbimit për konsumatorët dhe bizneset.