Njoftime > >
Autoritetet Doganore në pikën e kalimit kufitar të Qafë Thanës në bashkëpunim me policinë kanë kapur në flagrancë një shtetas maqedonas, i cili ka tentuar të kalojë një sasi cigaresh kontrabandë.
Gjatë kryerjes së procedurës së skanimit në kamionin e drejtuar nga ky shtetas, skaneri ka konstatuar një objekt tjetër, përveç atij të pasqyruar në deklaratën doganore.
Drejtuesi i mjetit bashkë me mjetin janë shoqëruar tek vija e dytë për kontroll të detajuar. Gjatë kontrollit janë konstatuar 45 copë steka cigaresh, të cilat po tentoheshin të kaloheshin kontrabandë.
Shtetasi me inicialet A.V është marrë në pyetje si i pandehur dhe është arrestuar nën akuzën e veprës penale “ Kontrabandë me mallra që paguhet akcizë”, ndërsa është bllokuar kamioni me gjithë ngarkesën.
Materialet i kanë kaluar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë, Pogradec për hetime të mëtejshme.