Njoftime > >
Më datë 24.08.2017, ora 22:00, strukturat e Hetimit të Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave, në bashkëpunim me forcat e policisë së Shtetit, si rezultat i një analize risku të kujdesshme, përfunduan me sukses operacionin “Pneumatic”, ku u zbulua një rast kontrabande gomash gjatë një transiti ndërkombëtar.
Mjeti me targe WTHD225, i drejtuar nga shtetasi VT, mbërriti në portin e Durrësit më 23.08.2017, me linjën Ankona-Durrës, transit në Shqipëri me destinacion final Kosovën.
Gjatë kryerjes së kontrollit dhe skanimit të mjetit në degën e Doganës Durrës, rezultoi se transportonte mallra, kryesisht goma automjetesh me peshë 12405 kg.
Bazuar në indikatorët e riskut, si dhe në dyshime të bazuara, u organizua operacioni “Pneumatic”, duke mbikëqyrur mjetin gjatë tranzitimit me destinacion Kosovën.
Gjatë rikontrollit të mjetit në Degën e Doganës Morinë, rezultoi peshë mangut 7860 kg, duke faktuar veprën penale të kontrabandës, që konsiston në hedhjen në mënyrë të paligjshme për konsum të mallrave gjatë një procedure transiti nderkombetar.
Drejtuesi i mjetit, shtetasi VT u arrestua në flagrancë, mjeti dhe mallrat u sekuestruan , materialet u referuan në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Durrës.