Institucioni > Aktivitete të Administratës Doganore >
Tiranë, 24 Nëntor 2026 - Drejtori i Përgjithshëm i Doganave, z. Fation Shehu, mori pjesë sot në prezantimin e Sistemit Elektronik për Administrimin e Gjobave “e-Gjoba Administrative”, një nismë e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) dhe Inspektoratit të Përgjithshëm Shtetëror, me pjesëmarrjen e Kryeministrit të Republikës së Shqipërisë, z. Edi Rama, si dhe përfaqësuesve të institucioneve publike.
Sistemi i ri synon unifikimin dhe digjitalizimin e procedurave të administrimit të gjobave, duke mundësuar një proces më transparent, të standardizuar dhe të gjurmueshëm. Përmes platformës e-Albania, qytetarët dhe bizneset do të kenë mundësi të njoftohen në kohë reale për gjobat e vendosura, t'i konsultojnë, t'i paguajnë dhe t'i ankimojnë në mënyrë elektronike.
Gjatë takimit, Drejtori i Përgjithshëm i Doganave, z. Fation Shehu, konfirmoi angazhimin e Administratës Doganore për marrjen e masave të nevojshme me qëllim integrimin e gjobave në fushën doganore në sistemin e ri, duke garantuar pasqyrimin e tyre në kohë reale në e-Albania dhe ndjekjen e procesit deri në përfundimin e procedurave përkatëse ligjore.
Ky zhvillim përbën një hap të rëndësishëm në modernizimin e administratës publike dhe forcimin e marrëdhënies me qytetarët dhe bizneset, duke rritur transparencën, lehtësuar procedurat administrative dhe garantuar më shumë siguri e gjurmueshmëri në çdo fazë të procesit të administrimit të gjobave.