Institucioni > Aktivitete të Administratës Doganore >
Tiranë, 24 Nëntor 2026 - Ministri i Financave, z. Petrit Malaj, prezantoi sot z. Fation Shehu në detyrën e Drejtorit të Përgjithshëm të Doganave, në një takim ku morën pjesë drejtues të Administratës Doganore dhe përfaqësues të Ministrisë së Financave.
Gjatë fjalës së tij, Ministri Malaj shprehu mbështetjen e plotë për Drejtorin e ri të Përgjithshëm, duke vlerësuar përvojën e tij profesionale dhe kontributin e dhënë ndër vite në Administratën Doganore. Në veçanti, ai vlerësoi drejtimin me sukses të strukturës së Antikontrabandës për një periudhë katërvjeçare, përvojë e cila përbën një bazë të rëndësishme për drejtimin e institucionit.
Ministri Malaj shprehu gjithashtu mirënjohjen për z. Besmir Beja, i cili për afro 10 muaj drejtoi Administratën Doganore, duke e falënderuar për angazhimin dhe kontributin e tij në këtë detyrë.
Marrja e kësaj detyre nga z. Fation Shehu vjen me përgjegjësinë për të vijuar punën në drejtim të forcimit të kapaciteteve institucionale, rritjes së eficiencës në administrimin doganor, luftës kundër informalitetit dhe kontrabandës, si dhe përmirësimit të mëtejshëm të shërbimeve ndaj biznesit dhe qytetarëve.
Administrata Doganore mbetet e angazhuar për të vijuar procesin e modernizimit, forcimin e integritetit institucional dhe përmbushjen me përgjegjshmëri të misionit të saj në shërbim të ekonomisë dhe interesit publik.