Institucioni > Aktivitete të Administratës Doganore >
Administrata Doganore Shqiptare mori pjesë në Bruksel, në diskutimet mbi rolin e Inteligjencës Artificiale (AI) në modernizimin dhe transformimin digjital të administratave doganore, në kuadër të aktivitetit të Organizatës Botërore të Doganave (WCO) për projektin “Smart Customs”.
Diskutimet u fokusuan në mundësitë e përdorimit të AI-së për përmirësimin e menaxhimit të riskut, analizimin e të dhënave, identifikimin e mashtrimit doganor, automatizimin e proceseve dhe analizën e imazheve të skanerëve.
Gjithashtu, u evidentua rëndësia e cilësisë së të dhënave, sigurisë së informacionit, zhvillimit të kapaciteteve profesionale dhe garantimit të mbikëqyrjes njerëzore në përdorimin e këtyre teknologjive.
Për Administratën Doganore Shqiptare, këto zhvillime përbëjnë një mundësi për të integruar gradualisht zgjidhje të inteligjencës artificiale në procesin e modernizimit të sistemeve informatike, forcimit të kontrolleve të bazuara në risk dhe përmirësimit të shërbimeve ndaj operatorëve ekonomikë.
Përdorimi i AI-së përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt ndërtimit të një administrate doganore më moderne, efikase dhe të orientuar drejt teknologjisë dhe inovacionit.