Institucioni > Aktivitete të Administratës Doganore >
Tiranë, 10 Tetor 2026 - Përfaqësues të Administratës Doganore Shqiptare morën pjesë në trajnimin ndërkombëtar “Kontrolli dhe Ndërhyrja në Ngarkesat Ajrore”, të zhvilluar më 5–9 tetor 2026 në Prishtinë, në kuadër të bashkëpunimit rajonal dhe ndërkombëtar për forcimin e sigurisë kufitare dhe luftën kundër trafikimit të paligjshëm.
Trajnimi u organizua nga Zyra e Kombeve të Bashkuara për Drogat dhe Krimin (UNODC), në partneritet me Organizatën Botërore të Doganave, në kuadër të Programit të Kontrollit të Pasagjerëve dhe Ngarkesave dhe projektit të përbashkët BE–UNODC për forcimin e sundimit të ligjit dhe qeverisjes së mirë përmes masave të kontrollit kufitar në portet dhe aeroportet e Europës Juglindore.
Aktiviteti bëri bashkë përfaqësues të strukturave doganore dhe policore të angazhuar në Njësitë e Kontrollit të Aviacionit në aeroportet ndërkombëtare të Tiranës dhe Prishtinës, me qëllim forcimin e kapaciteteve profesionale dhe përmirësimin e metodave të kontrollit të ngarkesave ajrore.
Gjatë pesë ditëve të trajnimit, pjesëmarrësit trajtuan çështje që lidhen me standardet ndërkombëtare të kontrollit, analizën e riskut, profilizimin dhe identifikimin e dërgesave me rrezik të lartë, teknikat e zbulimit të kontrabandës, si dhe procedurat e sigurisë gjatë kontrollit të ngarkesave ajrore. Vëmendje e veçantë iu kushtua gjithashtu identifikimit të kërcënimeve të reja dhe forcimit të bashkëpunimit operacional ndërmjet autoriteteve doganore dhe policore.
Pjesëmarrja e Administratës Doganore Shqiptare në këtë trajnim përbën një tjetër hap në drejtim të rritjes së kapaciteteve profesionale të strukturave të kontrollit, shkëmbimit të përvojave me partnerët rajonalë dhe zbatimit të praktikave më të mira ndërkombëtare.
Administrata Doganore Shqiptare mbetet e angazhuar në forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe ndërkombëtar, me synim rritjen e efektivitetit të kontrolleve doganore, parandalimin e veprimtarive të paligjshme dhe garantimin e sigurisë në zinxhirin e furnizimit dhe transportit ndërkombëtar.