Institucioni > Aktivitete të Administratës Doganore >
Tiranë, 09 Tetor 2026 - Përfaqësues të Administratës Doganore Shqiptare morën pjesë në Takimin e 29-të Administrativ të Pikave Kombëtare të Kontaktit (NCP) të Zyrës Rajonale të Ndërlidhjes së Inteligjencës për Europën Lindore dhe Qendrore (RILO ECE), zhvilluar në Athinë, Greqi.
Ky aktivitet, një nga takimet më të rëndësishme vjetore të RILO ECE, mblodhi së bashku përfaqësues të administratave doganore të vendeve anëtare të rajonit, ekspertë të Organizatës Botërore të Doganave (WCO), përfaqësues të zyrave të tjera RILO dhe organizatave ndërkombëtare, me qëllim forcimin e bashkëpunimit dhe shkëmbimin e informacionit në luftën kundër krimit doganor dhe trafiqeve të paligjshme ndërkufitare.
Gjatë takimit dyditor, diskutimet u përqendruan në sfidat aktuale të administratave doganore, tendencat e reja të kriminalitetit ndërkufitar, format dhe metodat e përdorura në veprimtaritë e paligjshme, si dhe rëndësinë e shkëmbimit në kohë të informacionit dhe inteligjencës doganore ndërmjet vendeve të rajonit.
Vëmendje e veçantë iu kushtua forcimit të analizës së riskut, përmirësimit të bashkëpunimit operacional dhe përdorimit të sistemeve të shkëmbimit të informacionit të Organizatës Botërore të Doganave, si instrumente të rëndësishme për identifikimin dhe parandalimin e kontrabandës, evazionit dhe formave të tjera të krimit ndërkufitar.
Takimi shërbeu gjithashtu si një platformë për shkëmbimin e përvojave dhe praktikave më të mira ndërmjet administratave doganore, si dhe për forcimin e kontakteve profesionale dhe koordinimit rajonal në përballimin e sfidave të përbashkëta.
Në përmbyllje të aktivitetit, pjesëmarrësit ranë dakord mbi prioritetet kryesore të RILO ECE për vitin e ardhshëm dhe miratuan zyrtarisht Planin e Punës, i cili do të orientojë aktivitetet dhe bashkëpunimin operacional në rajon.
Pjesëmarrja e Administratës Doganore Shqiptare në këtë takim konfirmon angazhimin e saj për forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar, përmirësimin e shkëmbimit të informacionit dhe rritjen e kapaciteteve në parandalimin dhe luftën kundër paligjshmërisë dhe krimit ndërkufitar.