Institucioni > Aktivitete të Administratës Doganore >
Tiranë, 30 Shtator 2026 – Administrata Doganore Shqiptare ka hartuar “Manualin e Vlerësimit Doganor”, një udhëzues praktik që synon të mbështesë zbatimin e saktë dhe të njëtrajtshëm të legjislacionit për përcaktimin e vlerës së mallrave për qëllime doganore.
Vlerësimi doganor është një nga elementet kryesore të procedurave doganore, pasi përcaktimi i saktë i vlerës së mallrave lidhet drejtpërdrejt me zbatimin korrekt të detyrimeve doganore dhe me trajtimin e barabartë të operatorëve ekonomikë. Për këtë arsye, manuali synon të ofrojë një qasje të unifikuar dhe të qartë për zbatimin e rregullave në praktikën e përditshme doganore.
Manuali përmbledh në mënyrë të strukturuar kuadrin ligjor, metodat e vlerësimit doganor dhe trajtimin e çështjeve që hasen në praktikë, të shoqëruara me shpjegime, shembuj konkretë, lista kontrolli dhe rekomandime metodologjike. Në këtë mënyrë, krahas parimeve dhe rregullave që duhet të ndiqen, dokumenti ofron edhe orientim praktik për zbatimin e tyre në situata të ndryshme.
Një vëmendje e veçantë i kushtohet mënyrës së analizimit dhe verifikimit të vlerës së deklaruar, dokumentacionit mbështetës, elementeve që duhet të merren në konsideratë gjatë procesit të vlerësimit, si dhe procedurave që ndiqen në raste të veçanta. Manuali trajton gjithashtu standardet e dokumentimit dhe të vendimmarrjes administrative, me synim që procesi i vlerësimit të jetë i argumentuar, transparent dhe i mbështetur në të dhëna të verifikueshme.
Ky manual synon të shërbejë si instrument pune për strukturat e Administratës Doganore, duke ndihmuar në unifikimin e praktikave të vlerësimit, rritjen e transparencës dhe cilësisë së vendimmarrjes, si dhe trajtimin e barabartë të operatorëve ekonomikë.
Në të njëjtën kohë, standardizimi i praktikave dhe interpretimi i njëtrajtshëm i rregullave synojnë të rrisin sigurinë juridike në marrëdhëniet ndërmjet Administratës Doganore dhe operatorëve ekonomikë, të shmangin praktikat arbitrare dhe të mbështesin konkurrencën e ndershme.
Manuali është hartuar duke mbajtur në konsideratë legjislacionin shqiptar, Marrëveshjen e OBT-së për Vlerësimin Doganor, Kodin Doganor të Bashkimit Europian, si dhe praktikat e Komisionit Europian dhe Organizatës Botërore të Doganave. Në këtë drejtim, dokumenti
mbështet edhe procesin e përafrimit të praktikave të Administratës Doganore Shqiptare me standardet dhe praktikat europiane e ndërkombëtare në fushën e vlerësimit doganor.
Manuali ka karakter shpjegues dhe orientues. Duhet mbajtur gjithmonë në vëmendje se Kodi Doganor dhe dispozitat e tij zbatuese mbeten baza ligjore që duhet të konsultohet në çdo rast.