Institucioni > Aktivitete të Administratës Doganore >
Tiranë, 23 Shtator 2026 - Në kuadër të zbatimit të projektit për implementimin e Sistemit të Transitit të Përbashkët me BE-në (NCTS – New Computerised Transit System), ka nisur raundi i dytë i trajnimeve në Doganën e Qafë Thanës, ku marrin pjesë stafet e degëve doganore të Elbasanit, Korçës dhe Kapshticës.
Trajnimet fokusohen në përdorimin praktik të sistemit dhe në përgatitjen e stafit për kalimin drejt përdorimit të plotë të NCTS-së në nivel kombëtar.
Kjo fazë synon të sigurojë përgatitjen e administratës doganore dhe të lehtësojë kalimin e sistemit në përdorim në nivel kombëtar, duke garantuar që stafi të jetë në gjendje ta përdorë atë në mënyrë efektive dhe të sigurt.
Trajnimet përfshijnë prezantimin dhe përdorimin praktik të moduleve të NCTS-së, me qëllim njohjen e përdoruesve me funksionalitetet e sistemit, diskutimin e çështjeve teknike dhe procedurale, si dhe koordinimin e veprimeve të nevojshme për zbatimin e tij.
NCTS mundëson shkëmbimin elektronik të të dhënave në kohë reale ndërmjet administratave doganore europiane dhe operatorëve ekonomikë. Sistemi thjeshton procedurat e transitit, redukton dokumentacionin në letër, rrit transparencën dhe gjurmueshmërinë e lëvizjes së mallrave, si dhe përshpejton përpunimin e deklaratave të transitit.
Implementimi i NCTS-së ka rëndësi të veçantë edhe në kuadër të procesit të integrimit europian, pasi përbën një nga kërkesat kryesore për aderimin në Konventën e Transitit të Përbashkët dhe përafrimin e procedurave doganore me standardet e Bashkimit Europian.