Institucioni > Aktivitete të Administratës Doganore >
Durrës, 22 Shtator 2026 – Fuqizimi i bashkëpunimit doganor dhe lehtësimi i tregtisë përmes menaxhimit modern të kufijve ishte në fokus të workshopit të zhvilluar në Durrës, me pjesëmarrjen e Administratës Doganore Shqiptare dhe Doganës së Kosovës, me mbështetjen e Programit për Zhvillimin e Ligjit Tregtar (CLDP) të Departamentit Amerikan të Tregtisë dhe ekspertëve të Agjencisë së SHBA-së për Dogana dhe Mbrojtje të Kufirit (CBP).
Aktiviteti shërbeu si një forum teknik për shkëmbimin e eksperiencave dhe praktikave në fushën doganore, me fokus përmirësimin e koordinimit ndërmjet dy administratave dhe krijimin e proceseve më efikase për lëvizjen e mallrave ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës.
Gjatë diskutimeve u trajtua përpunimi para mbërritjes, përdorimi i informacionit paraprak për vlerësimin e riskut, proceset e kontrollit dhe lirimit të ngarkesave, si dhe mënyrat për të përmirësuar shkëmbimin e informacionit dhe koordinimin operacional ndërmjet dy administratave doganore.
Një pjesë e rëndësishme e aktivitetit iu kushtua operacioneve në Portin e Durrësit, përmes një vizite operative ku pjesëmarrësit u njohën nga afër me proceset e mbërritjes dhe përpunimit të ngarkesave, shqyrtimin e dokumentacionit doganor, vlerësimin e riskut, procedurat e inspektimit dhe trajtimin e mallrave që vijojnë tranzit drejt Kosovës.
Ekspertët e CBP-së ndanë përvojën e SHBA-së në përdorimin e informacionit para mbërritjes, zhdoganimin e bazuar në risk, koordinimin ndërmjet autoriteteve dhe përdorimin e sistemeve elektronike në mbështetje të vendimmarrjes operative. Diskutimet u shoqëruan me shembuj praktikë dhe raste që mund të shërbejnë si referencë për forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit doganor Shqipëri–Kosovë.
Në fokus ishte gjithashtu digjitalizimi i proceseve doganore dhe Dritarja e Vetme Doganore, me diskutime mbi shkëmbimin elektronik të informacionit, ndërveprimin ndërmjet sistemeve dhe autoriteteve, reduktimin e procedurave të dyfishta dhe përmirësimin e koordinimit ndërinstitucional.
Pjesëmarrësit zhvilluan gjithashtu një ushtrim praktik mbi rrjedhën e një ngarkese nga mbërritja në Portin e Durrësit deri në destinacionin përfundimtar në Kosovë, duke analizuar informacionin që duhet të jetë i disponueshëm paraprakisht, mënyrat e shkëmbimit të të dhënave, vlerësimin e riskut dhe mundësitë për një përpunim më të shpejtë dhe të sigurt.
Në përfundim të aktivitetit u identifikuan fusha të mëtejshme për përmirësimin e shkëmbimit të informacionit para mbërritjes, forcimin e koordinimit ndërmjet dy administratave, avancimin e zgjidhjeve digjitale dhe vijimin e bashkëpunimit teknik.
Workshopi krijoi një hapësirë për dialog të drejtpërdrejtë dhe praktik ndërmjet administratave doganore të Shqipërisë dhe Kosovës, duke sjellë në fokus praktika dhe zgjidhje që mbështesin lehtësimin e tregtisë, menaxhimin efektiv të riskut dhe lëvizjen e sigurt e efikase të mallrave.