Institucioni > Aktivitete të Administratës Doganore >
Tiranë, 16 Shtator 2026 – Në Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave u zhvillua një takim pune në kuadër të Iniciativës Green Lanes me fokus ndërhyrjet e parashikuara për përmirësimin dhe modernizimin e Pikës së Kalimit Kufitar Kakavijë.
Në takim morën pjesë përfaqësues të Administratës Doganore Shqiptare, Policisë së Shtetit, Autoritetit Kombëtar të Ushqimit (AKU), si dhe ekspertë të CONNECTA 2 – Technical Assistance to Connectivity in the Western Balkans, të angazhuar në përgatitjen e projektit.
Projekti synon përmirësimin e kushteve infrastrukturore dhe funksionale në Kakavijë, rritjen e kapaciteteve operacionale dhe krijimin e kushteve për procedura më efikase dhe flukse më të shpejta të mallrave dhe udhëtarëve, në përputhje me objektivat e nismës Green Lanes për lehtësimin e transportit dhe lidhjeve në rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Takimi shërbeu për koordinimin e mëtejshëm ndërmjet institucioneve dhe ekipit të projektit, me qëllim që nevojat konkrete të strukturave që operojnë në Kakavijë të reflektohen që në fazën e projektimit.