Institucioni > Aktivitete të Administratës Doganore >
Tiranë, 21 Gusht 2026 - Drejtori i Përgjithshëm i Doganave, Besmir Beja, zhvilloi vizita inspektuese në Degët Doganore Vlorë dhe Kakavijë, në kuadër të monitorimit të punës dhe përballimit të flukseve të shtuara të lëvizjes së udhëtarëve dhe mjeteve gjatë sezonit veror.
Drejtori i Përgjithshëm u njoh nga afër me ecurinë e punës në të dyja pikat doganore, organizimin e shërbimit dhe masat e ndërmarra për menaxhimin sa më efikas të flukseve në hyrje dhe dalje, duke garantuar njëkohësisht zbatimin e procedurave dhe standardeve doganore.
Në Vlorë dhe Kakavijë, Drejtori i Përgjithshëm zhvilloi gjithashtu takime me stafet doganore, duke përcjellë disa mesazhe të rëndësishme për vijimin e punës.
Në fokus të takimeve ishte nevoja për një menaxhim të mirë të flukseve, me shërbim të shpejtë dhe profesional, pa cenuar kontrollin dhe zbatimin korrekt të legjislacionit doganor.
Drejtori Beja nënvizoi gjithashtu se integriteti, profesionalizmi dhe përgjegjshmëria individuale janë standarde të panegociueshme në ushtrimin e detyrës. “Çdo punonjës doganor duhet të veprojë me korrektësi, transparencë dhe në përputhje të plotë me procedurat, duke kontribuar në forcimin e besimit të qytetarëve dhe të komunitetit të biznesit tek administrata doganore,” u shpreh ai.
Vizitat në terren do të vijojnë edhe në pika të tjera doganore, si pjesë e angazhimit të Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave për një administratë më efikase, profesionale dhe të orientuar drejt shërbimit dhe integritetit.