Institucioni > Aktivitete të Administratës Doganore >
Tiranë, 20 Gusht 2026 - Drejtoria e Përgjithshme e Doganave zhvilloi një takim pune me përfaqësues të ALBTrace CO sh.a. dhe operatorë ekonomikë, në kuadër të zbatimit të sistemit të përmirësuar të pullave fiskale, i cili ka hyrë në zbatim më 1 korrik 2026. Në takim morën pjesë përfaqësues të Departamentit të Akcizës dhe Departamentit Teknik të DPD-së, përfaqësues të ALBTrace CO sh.a., si dhe operatorë ekonomikë nga sektorët e produkteve të duhanit, pijeve alkoolike dhe produkteve të tjera subjekt akcize.
Gjatë takimit, Drejtori i Përgjithshëm i Doganave, z. Besmir Beja, theksoi rëndësinë e një zbatimi sa më efektiv dhe të koordinuar të sistemit. Ai nënvizoi se modernizimi i administrimit të pullave fiskale duhet të sjellë njëkohësisht më shumë eficiencë në proceset e operatorëve ekonomikë dhe forcim të kontrollit e të gjurmueshmërisë së produkteve subjekt akcize. Dialogu i drejtpërdrejtë me operatorët ekonomikë dhe ALBTrace CO sh.a. u vlerësua si një element i rëndësishëm për evidentimin në kohë të çështjeve praktike dhe për përmirësimin e vazhdueshëm të procesit.
Sistemi i përmirësuar i pullave fiskale përfaqëson një hap të rëndësishëm në digjitalizimin e administrimit fiskal. Ai kombinon elementet fizike të sigurisë me teknologjinë digjitale, duke pajisur çdo pullë fiskale me një identifikues unik digjital dhe duke mundësuar lidhjen e saj me të dhënat përkatëse të produktit. Në këtë mënyrë krijohen mundësi më të avancuara për gjurmimin, monitorimin dhe verifikimin e produkteve gjatë ciklit të tyre të qarkullimit.
Një tjetër risi e rëndësishme është digjitalizimi i proceseve të administrimit të pullave fiskale, nga parashikimi dhe porositja deri te aktivizimi dhe monitorimi. Sistemi parashikon aktivizimin digjital nëpërmjet aplikacionit web dhe aplikacionit mobil të integruar me sistemin qendror, ndërsa për pullat e furnizuara në rul mundësohet skanimi dhe identifikimi i tyre në sistem.
Gjatë takimit, operatorët ekonomikë paraqitën çështje që lidhen me formatin dhe procesin e furnizimit me pulla, dëmtimet gjatë përdorimit, identifikimin e produkteve dhe funksionalitetet e aktivizimit e të verifikimit. Diskutimi u fokusua në zgjidhje praktike që lehtësojnë përdorimin e sistemit në aktivitetin e përditshëm, pa cenuar objektivat kryesore të sigurisë, kontrollit dhe gjurmueshmërisë.
Aktivizimi digjital mundëson lidhjen e pullës së aplikuar me produktin përkatës dhe regjistrimin e përdorimit të saj në sistem. Për pullat fiskale të furnizuara në rul, aktivizimi mund të kryhet nëpërmjet skanimit të pullave ose identifikimit të intervalit të pullave të përdorura, duke skanuar pullën e parë dhe pullën e fundit të intervalit. Në këtë mënyrë, përdorimi i pullave përkatëse regjistrohet në sistem dhe lidhet me produktet mbi të cilat ato janë aplikuar.
Pullat e dëmtuara ose të papërdorshme evidentohen veçmas dhe administrohen sipas procedurave të përcaktuara për dokumentimin, inventarizimin dhe asgjësimin e tyre, nën mbikëqyrjen e autoritetit doganor. Kuadri i ri parashikon gjithashtu sigurimin e manualeve dhe udhëzimeve operacionale për përdorimin e funksionaliteteve të Sistemit të Gjurmueshmërisë dhe Kontrollit të ALBTrace CO sh.a., përfshirë proceset e porositjes dhe aktivizimit të pullave fiskale.
Një tjetër përmirësim i rëndësishëm lidhet me procesin e prerjes së pullave fiskale të duhanit. Ndryshe nga praktika e mëparshme, kur prerja kryhej nga vetë operatorët ekonomikë nëpërmjet palëve të treta, ALBTrace CO sh.a. ua ofron tashmë operatorëve ekonomikë pullat fiskale të duhanit të prera dhe të gatshme për aplikim. Ky ndryshim eliminon nevojën për përpunim të mëtejshëm, redukton kohën dhe kostot operative dhe siguron një proces më të standardizuar dhe më efikas.
Për herë të parë, konsumatori mund të verifikojë drejtpërdrejt autenticitetin e produkteve subjekt akcize. Nëpërmjet aplikacionit publik ALBConnect, konsumatori skanon identifikuesin unik digjital të pullës fiskale dhe verifikon në kohë reale autenticitetin e produktit, si dhe informacionin e disponueshëm të lidhur me të. Aplikacioni mundëson gjithashtu raportimin e rasteve të dyshimta ose të produkteve potencialisht të falsifikuara, duke e bërë konsumatorin pjesë aktive të mekanizmave të mbrojtjes dhe kontrollit të tregut.
Drejtoria e Përgjithshme e Doganave ka një rol qendror në mbikëqyrjen dhe administrimin e sistemit, përfshirë miratimin e porosive të pullave fiskale, kontrollin e përmbushjes së kërkesave ligjore dhe ndjekjen e proceseve që lidhen me administrimin e tyre. Sipas kuadrit të ri, autoriteti doganor miraton porositë brenda dy ditëve pune nga marrja e tyre nëpërmjet Sistemit të Gjurmueshmërisë dhe Kontrollit të ALBTrace CO sh.a.
Takimi shërbeu për të afruar më tej të gjithë aktorët e përfshirë dhe për të trajtuar në mënyrë të koordinuar çështjet e evidentuara gjatë zbatimit. Drejtoria e Përgjithshme e Doganave do të vijojë monitorimin e sistemit dhe dialogun me aktorët e përfshirë, si dhe do të ofrojë trajnime për subjektet që hasin vështirësi në aktivizimin e pullave, me synim një administrim më modern, transparent dhe efektiv të produkteve subjekt akcize, forcimin e kontrollit fiskal dhe rritjen e gjurmueshmërisë së tyre në treg.