Institucioni > Aktivitete të Administratës Doganore >
Tiranë, 07.08.2026 - Në ambientet e Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave u zhvillua një takim pune me përfaqësues të Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP), në vijim të kërkesës së këtij institucioni për adresimin e çështjeve të ngritura nga operatorët e ofrimit të shërbimit postar.
Gjatë takimit u diskutua mbi forcimin e bashkëpunimit dhe koordinimit ndërinstitucional, me synim formalizimin e mëtejshëm të tregut dhe rritjen e efektivitetit në luftën kundër informalitetit në fushën e dërgesave postare.
Një tjetër çështje e rëndësishme ishte zhvillimi i sistemeve të teknologjisë së informacionit nga operatorët e postave të shpejta dhe Posta Shqiptare, me qëllim mundësimin e Njoftimit Para Mbërritjes për dërgesat postare, brenda vitit 2026. Ky mekanizëm synon të krijojë mundësi për një përpunim më të shpejtë dhe efikas të dërgesave, duke forcuar njëkohësisht analizën e riskut dhe kontrollet doganore.
Bashkëpunimi ndërinstitucional në këtë drejtim synon të krijojë një ekuilibër më të mirë mes lehtësimit dhe përshpejtimit të procedurave doganore dhe forcimit të kontrolleve, duke garantuar një menaxhim më efikas të dërgesave postare dhe duke kontribuar në luftën kundër kontrabandës, evazionit dhe informalitetit në fushën e tregtisë elektronike.