Institucioni > Aktivitete të Administratës Doganore >
Tiranë, 28 Korrik 2026 - Drejtori i Përgjithshëm i Doganave, z. Besmir Beja, mori pjesë në konferencën për shtyp të zhvilluar në Ministrinë e Financave mbi rezultatet e 6-mujorit të parë të vitit, ku prezantoi ecurinë e reformave dhe investimeve strategjike që po transformojnë Administratën Doganore Shqiptare në kuadër të procesit të integrimit europian.
Në fjalën e tij, z. Beja theksoi se Dogana Shqiptare vijon të jetë në pararojë të proceseve integruese, duke nënvizuar se me anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian, administrata doganore shqiptare do të jetë pjesë e kufirit të jashtëm të BE-së dhe, për këtë arsye, modernizimi i saj mbetet një prioritet strategjik.
Sa i përket Kapitullit 29 “Bashkimi Doganor”, Drejtori i Përgjithshëm bëri të ditur se administrata doganore po përmbush me ritme të shpejta të gjitha piketat e përcaktuara për mbylljen e negociatave. Ai theksoi se procesi i aderimit në Protokollin e Organizatës Botërore të Shëndetësisë për eliminimin e tregtisë së paligjshme të produkteve të duhanit është përfunduar, ndërsa Kodi i ri Doganor është harmonizuar plotësisht me legjislacionin e Bashkimit Europian dhe është dërguar për dakordësi pranë institucioneve europiane. Njëkohësisht, janë përgatitur edhe aktet nënligjore, duke e afruar Shqipërinë drejt përmbylljes së plotë të përafrimit të legjislacionit doganor me acquis të BE-së.
Një tjetër shtyllë e rëndësishme e reformës është modernizimi i sistemeve të teknologjisë së informacionit. Në këtë kuadër, Administrata Doganore ka nënshkruar marrëveshjen me UNCTAD për implementimin e sistemit të ri doganor, i cili do të jetë plotësisht i harmonizuar me sistemet e Bashkimit Europian dhe do të sjellë një platformë moderne, të mbështetur edhe në Inteligjencën Artificiale për analizën e riskut, klasifikimin tarifor dhe vlerësimin doganor.
Sipas planit të prezantuar, moduli i parë i sistemit të ri do të vihet në funksion brenda muajit dhjetor të këtij viti, ndërsa pjesa më e madhe e sistemit pritet të implementohet gjatë vitit 2027, me objektivin për përfundimin e plotë të të gjitha sistemeve deri në vitin 2030.
Drejtori i Përgjithshëm ndaloi gjithashtu te forcimi i kapaciteteve institucionale dhe administrative të Doganës Shqiptare. Ai solli në vëmendje rezultatet pozitive të misionit monitorues të zhvilluar në muajin mars nga ekspertë të vendeve anëtare të Bashkimit Europian dhe Komisionit Europian, të cilët vlerësuan aftësinë e administratës doganore shqiptare për të zbatuar legjislacionin europian dhe për të përmbushur rolin e saj si kufi i ardhshëm i jashtëm i Bashkimit Europian.
Në vijim të këtyre rekomandimeve, Administrata Doganore po punon për krijimin e një strukture të re organizative, e cila do të ndryshojë filozofinë e funksionimit të institucionit. Reforma synon lehtësimin maksimal të procedurave doganore në pikat kufitare, duke forcuar njëkohësisht kontrollin pas zhdoganimit (Post Clearance Audit), në përputhje me praktikat më të mira të administratave doganore të Bashkimit Europian. Kjo qasje do të rrisë efikasitetin e kontrolleve, do të reduktojë kohën e përpunimit në kufi dhe do të garantojë një administrim më efektiv të detyrimeve doganore.
Në përfundim, z. Beja u shpreh se Dogana Shqiptare po avancon me ritme të shpejta në procesin e modernizimit dhe harmonizimit me standardet europiane, duke mbetur një nga institucionet në pararojë të procesit të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.
Pjesë nga fjala e mbajtur në Konferencë:
Mua më vjen gjithmonë mirë të them se Dogana Shqiptare është në pararojë të proceseve integruese. Shqipëria do të jetë një vend kufitar i Bashkimit Europian dhe Dogana Shqiptare do të jetë dogana e gjithë BE-së. Pikërisht për këtë arsye kemi marrë angazhimin maksimal që ky proces të ecë sa më shpejt dhe sa më mirë.
Në Kapitullin 29 kemi katër piketa përmbyllëse që lidhen me përafrimin e legjislacionit, sistemet e teknologjisë së informacionit, forcimin e kapaciteteve institucionale dhe administrative, si edhe aderimin në Protokollin e OBSH-së për eliminimin e tregtisë së paligjshme të produkteve të duhanit. Kjo e fundit tashmë është përmbushur.
Sa i përket përafrimit të legjislacionit, siç e theksoi edhe ministri, Kodi Doganor është harmonizuar plotësisht me legjislacionin e Bashkimit Europian dhe i është përcjellë shërbimeve të BE-së. Presim dakordësinë përfundimtare, me synimin që ai të miratohet nga Kuvendi gjatë muajit shtator. Ndërkohë janë miratuar edhe aktet nënligjore në zbatim të Kodit të ri dhe, me hyrjen në fuqi të tij, do të miratohen edhe dispozitat zbatuese, duke përmbyllur kështu përafrimin e plotë të legjislacionit doganor me atë të Bashkimit Europian.
Edhe në drejtim të sistemeve të teknologjisë së informacionit jemi në rrugën e duhur për t'u harmonizuar plotësisht me sistemet e BE-së. Në fund të ditës, Dogana është sistem; çdo procedurë doganore kryhet përmes platformave digjitale. Për këtë arsye kemi nënshkruar marrëveshjen me UNCTAD për implementimin e sistemit të ri doganor. Ky sistem jo vetëm që do të jetë plotësisht i harmonizuar me standardet europiane, por do të sjellë edhe një teknologji krejtësisht të re. Ai do të mbështetet edhe në Inteligjencën Artificiale për analizën e riskut, klasifikimin tarifor dhe vlerësimin e vlerës doganore.
Objektivi ynë është që brenda muajit dhjetor të këtij viti të implementojmë modulin e parë të sistemit të ri, atë të eksporteve, ndërsa gjatë vitit 2027 të kemi të implementuar pjesën më të madhe të sistemit. Sipas planit, të gjitha sistemet duhet të përmbyllen deri në vitin 2030, por aktualisht po ecim me një ritëm më të shpejtë nga sa kishim parashikuar.
Edhe për sa i përket kapaciteteve administrative dhe operacionale, besoj se jemi në një rrugë shumë të mirë. Në muajin mars patëm një mision monitorues nga vendet anëtare të Bashkimit Europian dhe Komisioni Europian për të vlerësuar aftësinë e Administratës Doganore Shqiptare për të zbatuar legjislacionin e BE-së dhe për të përmbushur rolin e saj si kufi hyrës dhe dalës i Bashkimit Europian. Raporti ishte shumë pozitiv dhe motivues.
Një nga reformat kryesore që do të ndërmarrim është krijimi i një strukture të re për Administratën Doganore. Synimi ynë është të ndryshojmë filozofinë e funksionimit të saj: procedurat doganore të mos përqendrohen vetëm te pikat kufitare, por të lehtësohen maksimalisht në kufi, ndërsa kontrollet të forcohen përmes kontrollit pas zhdoganimit (Aposteriori).
Në këtë mënyrë do të rrisim kapacitetet tona për të verifikuar edhe pas zhdoganimit nëse procedurat janë kryer në mënyrë korrekte dhe nëse janë përmbushur të gjitha detyrimet doganore. Kjo qasje ul presionin në kufi, minimizon mundësitë për evazion apo shmangie të detyrimeve dhe garanton një administrim më efikas e më modern.
Besoj se Dogana Shqiptare është në një rrugë shumë të mbarë dhe vazhdon të jetë në pararojë të procesit të integrimit europian të Shqipërisë.