Institucioni > Aktivitete të Administratës Doganore >
Tiranë, 21 Korrik 2026 - Drejtori i Përgjithshëm i Doganave, z. Besmir Beja dhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Skënder Hita, zhvilluan një inspektim të përbashkët në Pikën e Kalimit Kufitar Rinas për të ndjekur nga afër zbatimin e masave të marra nga Administrata Doganore dhe Policia Kufitare për menaxhimin e fluksit të shtuar të pasagjerëve gjatë sezonit turistik.
Në kulmin e sezonit veror, Aeroporti Ndërkombëtar i Rinasit numëron mesatarisht 50 000–56 000 pasagjerë në ditë, falë koordinimit të ngushtë ndërinstitucional dhe angazhimit të strukturave operacionale, të cilat garantojnë njëkohësisht përpunim të shpejtë të procedurave, kontroll efektiv dhe standarde të larta sigurie.
Gjatë inspektimit, drejtuesit vlerësuan punën e punonjësve të Policisë Kufitare dhe të Administratës Doganore, të cilët vijojnë të operojnë me kapacitete të plota, 24 orë në 24, për t'iu përgjigjur fluksit të shtuar të udhëtarëve dhe mallrave.
Drejtori i Përgjithshëm i Doganave, z. Besmir Beja, theksoi se Administrata Doganore mbetet e angazhuar për të garantuar lëvizjen sa më të shpejtë të qytetarëve dhe turistëve, pa cenuar kontrollet e nevojshme doganore, si në sektorin e pasagjerëve ashtu edhe në atë të kargos.
Nga ana e tij, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Skënder Hita, vlerësoi masat organizative dhe teknike të ndërmarra nga Policia Kufitare, të cilat kanë rritur kapacitetet e përpunimit të pasagjerëve, si dhe bashkëpunimin e vazhdueshëm me Administratën Doganore në luftën kundër kontrabandës, trafikut të lëndëve narkotike dhe migracionit të paligjshëm.
Drejtuesit e dy institucioneve theksuan se bashkëpunimi i ngushtë ndërinstitucional dhe masat e shtuara operative kanë bërë të mundur përballimin me sukses të fluksit rekord në Aeroportin Ndërkombëtar të Rinasit, duke garantuar sigurinë kufitare, kontrollin doganor dhe ofrimin e shërbimeve cilësore për çdo qytetar dhe turist që hyn ose del nga Republika e Shqipërisë.