Institucioni > Aktivitete të Administratës Doganore >
Tiranë, 17 Korrik 2026 - Një tjetër kompani shqiptare është certifikuar me statusin e Operatorit Ekonomik të Autorizuar, AEO, duke u bërë operatori i 23-të që përfiton këtë status në Shqipëri. Certifikata iu dorëzua administratorit të shoqërisë "Albsteel" Shpk, nga Drejtori i Përgjithshëm i Doganave, z. Besmir Beja, gjatë një vizite të zhvilluar në ambientet e kompanisë.
Në fjalën e tij, Drejtori i Përgjithshëm, z. Beja theksoi se marrja e statusit AEO është rezultat i përmbushjes së standardeve të larta të kërkuara nga Administrata Doganore. Bazuar në auditimin e kryer, kompania disponon sisteme të konsoliduara financiare, aftësi paguese, infrastrukturë të përshtatshme të teknologjisë së informacionit, sisteme monitorimi dhe sigurie 24/7, si dhe organizimin e nevojshëm të strukturave kryesore të saj.
Kompania "Albsteel" Shpk është një nga prodhuesit dhe eksportuesit më të njohur shqiptarë në sektorin e materialeve të çelikut, materialeve të ndërtimit, paneleve sanduiç dhe profileve të hapura. Ajo zotëron certifikata të konformitetit për kontrollin e prodhimit dhe sistemin e menaxhimit të cilësisë.
Duke ftuar edhe operatorë të tjerë ekonomikë të aplikojnë për statusin AEO, Drejtori i Përgjithshëm nënvizoi se ky status u ofron bizneseve një sërë përfitimesh, ndër të cilat trajtim më të favorshëm në vlerësimin e riskut, reduktim të kontrolleve fizike dhe dokumentare, trajtim prioritar dhe njoftim paraprak në rast përzgjedhjeje për kontroll doganor, akses më të lehtë në thjeshtimet doganore, si dhe reduktim ose përjashtim nga kërkesat për garanci financiare, sipas legjislacionit në fuqi.
Statusi i Operatorit Ekonomik të Autorizuar është një nga instrumentet kryesore të partneritetit mes Administratës Doganore dhe biznesit, duke rritur sigurinë e zinxhirit ndërkombëtar të furnizimit, lehtësuar tregtinë dhe promovuar përputhshmërinë me standardet e Bashkimit Europian.