Institucioni > Aktivitete të Administratës Doganore >
Tiranë, 27 qershor 2026 – Administrata Doganore mori pjesë në mbledhjen e Grupit Teknik Ndërinstitucional të Punës (GTNP), së bashku me institucionet përgjegjëse, në kuadër të forcimit të koordinimit ndërinstitucional dhe rritjes së efektivitetit në luftën kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit.
Gjatë takimit u shqyrtua drafti i parë i Raportit të Vlerësimit të Ndërsjelltë (MER) të MONEYVAL, duke u analizuar gjetjet kryesore dhe rekomandimet për përmirësimin e sistemit kombëtar të parandalimit të pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit.
Pjesëmarrësit diskutuan gjithashtu ecurinë e zbatimit të Planit të Veprimit të Strategjisë Kombëtare 2024–2030, si dhe Planin e Vlerësimit Kombëtar të Riskut (NRA), me fokus në hapat e mëtejshëm për zhvillimin e procesit të vlerësimit të riskut në vend.
Në qendër të diskutimeve ishte forcimi i analizës së riskut, përmirësimi i shkëmbimit të informacionit dhe intensifikimi i bashkëpunimit ndërinstitucional. Në këtë kuadër, Administrata Doganore vijon të luajë një rol të rëndësishëm përmes kontrolleve kufitare, identifikimit të flukseve të dyshimta dhe mbështetjes së hetimeve financiare.
Takimi trajtoi gjithashtu zbatimin e Planit të Integruar të Trajnimeve 2026 dhe vijimësinë e punës së nëngrupeve teknike, në përputhje me prioritetet e procesit të MONEYVAL dhe koordinimin ndërinstitucional të udhëhequr nga Agjencia e Inteligjencës Financiare.
Në përfundim, institucionet pjesëmarrëse ritheksuan angazhimin e përbashkët për zbatimin e rekomandimeve të MONEYVAL dhe forcimin e integritetit të sistemit kombëtar për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit.