Institucioni > Aktivitete të Administratës Doganore >
Dogana e Durrësit, në bashkëpunim me strukturat e Policisë së Shtetit, evidentoi dhe goditi dy raste të tentativës për futjen kontrabandë të produkteve të duhanit në territorin e Republikës së Shqipërisë, nëpërmjet Portit të Durrësit.
Bazuar në informacionet operative të siguruara nga strukturat përgjegjëse, u përzgjodh për kontroll në vijën e dytë një automjet që dyshohej se transportonte mallra të padeklaruara. Gjatë kontrollit u konstatuan dhe sekuestruan 548 steka cigare pa pullë fiskale, të padeklaruara pranë autoriteteve doganore dhe policore, si dhe pa dokumentacionin përkatës shoqërues.
Nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, kontrollet vijuan edhe në ambientet e tragetit, ku në zonën e hotelerisë u zbuluan të fshehura edhe 250 steka të tjera cigare, të dyshuara për t’u futur kontrabandë në vend. Malli u sekuestrua dhe po vijojnë veprimet procedurale në përputhje me legjislacionin në fuqi.
Administrata Doganore mbetet e angazhuar në forcimin e kontrolleve dhe luftën kundër kontrabandës, në bashkëpunim të ngushtë me agjencitë e zbatimit të ligjit, me qëllim mbrojtjen e interesave fiskale dhe garantimin e konkurrencës së ndershme në treg.