Institucioni > Aktivitete të Administratës Doganore >
Tiranë, 13.06.2026 - Përfaqësues të Administratës Doganore Shqiptare morën pjesë në seminarin rajonal me temë “Lufta kundër trafikimit të drogave sintetike dhe prekursorëve të tyre kimikë”, zhvilluar në Beograd, me pjesëmarrjen e delegacioneve doganore, policore dhe gjyqësore nga vendet e Ballkanit, Bashkimit Europian dhe rajonit të Mesdheut.
Aktiviteti u organizua me mbështetjen e autoriteteve franceze dhe mblodhi ekspertë të institucioneve kryesore ndërkombëtare dhe evropiane, përfshirë Agjencinë e Bashkimit Europian për Drogat (EUDA), EUROPOL, UNODC, si dhe struktura të specializuara të doganave dhe agjencive ligjzbatuese të Francës dhe Italisë.
Seminari kishte si objektiva kryesore rritjen e ndërgjegjësimit mbi fenomenin e trafikut të drogave sintetike dhe prekursorëve kimikë, shkëmbimin e praktikave më të mira dhe përvojave konkrete hetimore, si dhe forcimin e bashkëpunimit operacional ndërmjet institucioneve përgjegjëse për parandalimin dhe goditjen e këtij fenomeni.
Gjatë sesioneve të punës u trajtuan zhvillimet më të fundit lidhur me prodhimin, qarkullimin dhe kontrabandimin e drogave sintetike në Europë, metodat e devijimit të prekursorëve kimikë, modelet kombëtare të kontrollit, si dhe raste konkrete operacionale të prezantuara nga autoritetet franceze, italiane dhe partnerët ndërkombëtarë.
Pjesëmarrja e Doganës Shqiptare në këtë seminar përbën një mundësi të rëndësishme për forcimin e kapaciteteve profesionale dhe zgjerimin e bashkëpunimit ndërinstitucional në luftën kundër krimit të organizuar ndërkombëtar. Administrata Doganore mbetet e angazhuar në monitorimin dhe kontrollin e mallrave me risk të lartë, duke kontribuar në parandalimin e trafikut të lëndëve narkotike, prekursorëve kimikë dhe aktiviteteve të tjera të paligjshme ndërkufitare.
Në përfundim të seminarit, pjesëmarrësit theksuan rëndësinë e koordinimit rajonal dhe ndërkombëtar për identifikimin e rreziqeve të reja, shkëmbimin e informacionit dhe zhvillimin e mekanizmave të përbashkët për goditjen e rrjeteve kriminale që operojnë në trafikun e drogave sintetike dhe përbërësve të tyre kimikë.