Institucioni > Aktivitete të Administratës Doganore >
Tiranë, 09.06.2026 - Përfaqësues të Doganës Shqiptare morën pjesë në Tryezën Kombëtare me temë “Forcimi i Bashkëpunimit Institucional për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore nga Trafikimi i Paligjshëm”, e organizuar nga organizata Cultural Heritage without Borders – Albania, me mbështetjen e Programit për Zbatimin e Marrëveshjes për Pronën Kulturore të Departamentit të Shtetit të SHBA-së, përmes Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri.
Aktiviteti mblodhi përfaqësues të institucioneve shtetërore, organizatave partnere dhe ekspertë të fushës, me qëllim forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe koordinimin e veprimeve për parandalimin dhe luftimin e trafikimit të paligjshëm të objekteve të trashëgimisë kulturore.
Gjatë diskutimeve u theksua rëndësia e një qasjeje të integruar ndërmjet institucioneve përgjegjëse për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore, zbatimin e ligjit dhe kontrollin e kufijve, si një element kyç për identifikimin, parandalimin dhe goditjen e rasteve të trafikimit të paligjshëm.
Në këtë kuadër, Dogana Shqiptare luan një rol të rëndësishëm në mbrojtjen e trashëgimisë kulturore kombëtare përmes kontrollit të lëvizjes ndërkufitare të mallrave, zbatimit të legjislacionit përkatës dhe bashkëpunimit të vazhdueshëm me institucionet kombëtare dhe partnerët ndërkombëtarë. Forcimi i kapaciteteve profesionale të Administratës Doganore dhe shkëmbimi i informacionit mbeten elemente thelbësore për rritjen e efektivitetit në parandalimin e eksportit apo importit të paligjshëm të pasurive kulturore.
Tryeza shënoi gjithashtu përmbylljen e projektit “Ngritja e kapaciteteve lokale dhe bashkëpunimi në zbatimin e ligjit për të luftuar trafikimin e paligjshëm të trashëgimisë kulturore shqiptare”, duke ofruar një mundësi për të reflektuar mbi rezultatet e arritura dhe për të diskutuar hapat e mëtejshëm në forcimin e mekanizmave të bashkëpunimit institucional.
Dogana Shqiptare mbetet e angazhuar për të kontribuar në mbrojtjen e trashëgimisë kulturore të vendit dhe në luftën kundër çdo forme të trafikimit të paligjshëm, në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe praktikat më të mira të kontrollit doganor.