Institucioni > Aktivitete të Administratës Doganore >
Tiranë, 05.06.2026 – Përfaqësues të Administratës Doganore Shqiptare morën pjesë në Takimin e 31-të të Nënkomitetit të CEFTA-s për Doganat dhe Rregullat e Origjinës, zhvilluar në Sarajevë, nën kryesimin e Bosnjë Hercegovinës.
Takimi mblodhi përfaqësues të vendeve të CEFTA-s, Komisionit Europian, Sekretariatit të CEFTA-s dhe organizatave partnere, me fokus të veçantë në përshpejtimin e modernizimit të administratave doganore dhe avancimin e transformimit digjital në rajon, në përputhje me standardet e Bashkimit Europian.
Gjatë diskutimeve u vlerësua progresi i arritur në zbatimin e Konventës së Rishikuar PEM për rregullat preferenciale të origjinës, si dhe avancimi i projektit për certifikatat elektronike të origjinës (e-PoC), të cilat synojnë thjeshtimin e procedurave dhe rritjen e efikasitetit të shkëmbimeve tregtare.
Një nga temat kryesore të takimit ishte zhvillimi i programeve të Operatorëve Ekonomikë të Autorizuar, ku vendet pjesëmarrëse diskutuan ecurinë e zbatimit të vendimit përkatës të CEFTA-s dhe praktikat më të fundit të Bashkimit Europian, përfshirë modelin “Trust and Check”, si një referencë e rëndësishme për forcimin e partneritetit me operatorët ekonomikë të besuar.
Pjesëmarrësit diskutuan gjithashtu mbi ecurinë e projektit CEFTA SEED+, i cili po luan një rol kyç në rritjen e ndërlidhjes ndërmjet administratave doganore të rajonit. Në këtë kuadër u prezantuan zhvillimet më të fundit lidhur me shkëmbimin elektronik të të dhënave, përdorimin e profileve të përbashkëta të riskut, shkëmbimin e informacionit para mbërritjes së mallrave, si dhe nisma të tjera që kontribuojnë në përshpejtimin e procedurave dhe rritjen e sigurisë së zinxhirit tregtar.
Takimi trajtoi gjithashtu çështje që lidhen me tregtinë elektronike, menaxhimin e riskut doganor, studimet e kohës së zhdoganimit dhe harmonizimin e orareve të punës në pikat kufitare, me synimin për të reduktuar vonesat, përmirësuar koordinimin ndërkufitar dhe lehtësuar lëvizjen e mallrave në rajon.
Një vëmendje e veçantë iu kushtua avancimit të procedurave plotësisht elektronike përmes shkëmbimit paraprak të të dhënave dhe përpunimit të deklaratave para mbërritjes së mallrave, masa që po kontribuojnë në krijimin e proceseve më të shpejta, më transparente dhe më të parashikueshme për komunitetin e biznesit.
Pjesëmarrja e Doganës Shqiptare në këtë forum rajonal konfirmon angazhimin e saj për forcimin e bashkëpunimit me partnerët e CEFTA-s, modernizimin e proceseve doganore dhe përafrimin e mëtejshëm me standardet europiane, në funksion të krijimit të një mjedisi tregtar më efikas, më të sigurt dhe më të integruar.