Institucioni > Aktivitete të Administratës Doganore >
Tiranë, 29.05.2026 - Përfaqësues të Administratës Doganore Shqiptare morën pjesë në Forumin Rajonal për Inteligjencën Detare dhe Luftën kundër Trafikut të Narkotikëve, zhvilluar në Mal të Zi, më 27–28 maj 2026 me pjesëmarrjen e institucioneve doganore, policore, të inteligjencës dhe rojës bregdetare nga Shqipëria, Bullgaria, Kroacia, Greqia, Mali i Zi, Serbia dhe Sllovenia.
Në forum morën pjesë gjithashtu përfaqësues të Qendrës për Analizën dhe Operacionet Detare kundër Trafikut të Narkotikëve (MAOC-N), autoritete portuale, kompani private dhe ekspertë të kërkimit akademik nga Global Initiative against Transnational Organized Crime (GI-TOC).
Aktiviteti kishte si objektiv kryesor prezantimin e sistemit francez për identifikimin dhe goditjen e trafikut detar të narkotikëve, forcimin e bashkëpunimit rajonal përmes krijimit të rrjeteve të kontaktit ndërinstitucional, si dhe promovimin e ngritjes së njësive të dedikuara për analizën dhe targetimin detar.
Gjatë këtij forumi u trajtuan tendencat më të fundit të trafikut ndërkombëtar të narkotikëve në rrugët detare, mënyrat e operimit të grupeve kriminale, si dhe përdorimi i teknologjive të reja dhe metodave të sofistikuara për shmangien e kontrolleve nga autoritetet ligjzbatuese.
Në këtë kuadër, përfaqësuesit e Doganës Shqiptare shkëmbyen eksperienca dhe praktika profesionale me partnerët ndërkombëtarë mbi analizën e riskut, targetimin detar, shkëmbimin e informacionit dhe koordinimin operacional në luftën kundër trafikut të paligjshëm dhe krimit të organizuar ndërkombëtar.
Pjesëmarrja e Administratës Doganore Shqiptare në aktivitete të tilla ndërkombëtare forcon kapacitetet institucionale në fushën e kontrollit dhe sigurisë kufitare, si dhe rrit bashkëpunimin rajonal dhe ndërinstitucional për parandalimin dhe goditjen e trafikut të narkotikëve dhe aktiviteteve të tjera të paligjshme në hapësirën detare.