Institucioni > Aktivitete të Administratës Doganore >
26 Maj 2026 – Drejtori i Përgjithshëm i Doganave, Besmir Beja, së bashku me Ministrin e Financave, Petrit Malaj, zhvilluan një vizitë pune në Degën Doganore në Portin e Durrësit, në kuadër të masave të ndërmarra për menaxhimin e fluksit të sezonit turistik veror, forcimin e sigurisë dhe lehtësimin e procedurave për qytetarët, turistët dhe operatorët ekonomikë.
Gjatë vizitës, Drejtori i Përgjithshëm i Doganave inspektoi nga afër organizimin e punës në terminalin e pasagjerëve, masat operative të marra për përballimin e fluksit të shtuar dhe koordinimin ndërinstitucional për garantimin e një sezoni turistik sa më efikas dhe të sigurt. Në fokus të diskutimeve ishte angazhimi i administratës doganore për uljen e kohës së pritjes, rritjen e standardeve të shërbimit dhe forcimin e kontrolleve në hyrje-dalje, duke ruajtur njëkohësisht balancën mes facilitimit të lëvizjes dhe sigurisë kufitare.
Ministri i Financave vlerësoi rolin e administratës doganore në menaxhimin e sezonit turistik dhe theksoi rëndësinë e marrjes së masave për lehtësimin e qarkullimit të turistëve dhe qytetarëve. “Është e rëndësishme që Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, me stafin e saj, të marrë masat e nevojshme në mënyrë që të facilitojë hyrjen dhe daljen e turistëve”, u shpreh z. Malaj.
Nga ana e tij, Drejtori i Përgjithshëm i Doganave, z. Besmir Beja, bëri të ditur se administrata doganore ka marrë të gjitha masat për përforcimin e shërbimeve gjatë sezonit veror, si në aspektin operacional ashtu edhe në atë të sigurisë. Një nga masat e reja që pritet të zbatohet gjatë këtij sezoni është pajisja e punonjësve doganorë me kamera trupi.
"Besoj shumë shpejt, brenda këtij sezoni, punonjësit e doganës, veçanërisht në Portin e Durrësit, do të pajisen me kamera trupi. Këto kamera do të transmetojnë të dhënat në Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave dhe do të sigurojnë një ndërveprim më transparent dhe profesional të personelit doganor me qytetarët dhe bizneset", u shpreh z. Beja.
Gjatë takimit me strukturat doganore u diskutuan edhe objektivat e Doganës Durrës për sezonin 2026, me fokus uljen e kohës së pritjes dhe lehtësimin e lëvizjes së qytetarëve dhe turistëve, duke ruajtur njëkohësisht kontrollet dhe analizën e riskut. Konkretisht, synohet që koha e pritjes për mjetet private të reduktohet në më pak se 2 minuta, ndërsa për kroçerat në më pak se 20 minuta.
Ndër masat e ndërmarra në funksion të sezonit turistik përfshihen:
Në fokus të diskutimeve ishte edhe forcimi i kontrolleve për parandalimin e rasteve të transportimit të parave cash të padeklaruara dhe intensifikimi i bashkëpunimit me institucionet ligjzbatuese, me synim garantimin e sigurisë financiare dhe parandalimin e aktiviteteve të paligjshme gjatë sezonit veror.
Të dhënat e katërmujorit të parë të vitit 2026 konfirmojnë rëndësinë strategjike të Porti i Durrësit, me 94,869 imbarkime dhe 61,728 dizimbarkime gjatë periudhës janar–prill, si edhe me të ardhura doganore në vlerën 32.85 miliardë lekë, ose 2.45 miliardë lekë më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Vetëm gjatë muajit prill 2026 vendi regjistroi rreth 900 mijë vizitorë të huaj, me një rritje prej rreth 9% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, çka kërkon koordinim më të madh institucional, kapacitete operacionale të shtuara dhe standarde më të larta sigurie e shërbimi.