Institucioni > Aktivitete të Administratës Doganore >
Tiranë, 26.05.2026 - Administrata Doganore mori pjesë në takimin dyditor të organizuar në Tiranë, në kuadër të Projektit P2P të Bashkimit Europian për Kontrollin e Eksportit të Mallrave me Përdorim të Dyfishtë (P103) dhe Projektit të Ndërgjegjësimit të BE-së COARM VII, për forcimin e kapaciteteve institucionale në fushën e kontrollit të eksporteve strategjike, mallrave ushtarake dhe teknologjive me përdorim të dyfishtë.
Gjatë aktivitetit u trajtuan ndryshimet më të fundit në legjislacionin shqiptar për kontrollin shtetëror dhe ndërkombëtar të transferimeve të mallrave ushtarake dhe artikujve e teknologjive me përdorim të dyfishtë, në funksion të përafrimit të mëtejshëm të kuadrit ligjor shqiptar me standardet dhe acquis të Bashkimit Europian.
Në fokus të diskutimeve ishte edhe roli i Administratës Doganore në kontrollin e mallrave strategjike, vlerësimin e riskut, zbatimin e procedurave të kontrollit dhe forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional për parandalimin e transferimeve të paligjshme dhe garantimin e sigurisë në zinxhirin tregtar.
Seminari shërbeu si një platformë e rëndësishme për shkëmbimin e eksperiencave dhe praktikave më të mira ndërmjet institucioneve ligjzbatuese, ekspertëve ndërkombëtarë dhe sektorit privat, me qëllim rritjen e efektivitetit të kontrolleve dhe forcimin e standardeve të sigurisë në përputhje me praktikat e Bashkimit Europian.