Institucioni > Aktivitete të Administratës Doganore >
Tiranë, 11.05.2026 - Drejtoria e Përgjithshme e Doganave mori pjesë në aktivitetin dyditor me temë “Lufta kundër trafikimit të paligjshëm të trashëgimisë kulturore”, organizuar në kuadër të projektit “Ngritja e kapaciteteve lokale dhe bashkëpunimi në zbatimin e ligjit për të luftuar trafikimin e paligjshëm të trashëgimisë kulturore shqiptare”.
Ky aktivitet mblodhi së bashku profesionistë të trashëgimisë kulturore dhe përfaqësues të institucioneve të zbatimit të ligjit, me synimin për të forcuar bashkëpunimin ndërinstitucional dhe për të rritur kapacitetet në parandalimin dhe goditjen e trafikimit të paligjshëm të objekteve me vlerë historike dhe kulturore.
Drejtoria e Përgjithshme të Doganave ka një rol kyç në mbrojtjen e trashëgimisë kulturore kombëtare. Si institucioni përgjegjës për kontrollin e lëvizjes së mallrave në kufi, Dogana është në vijën e parë të identifikimit dhe ndalimit të tentativave për nxjerrjen e paligjshme të objekteve të trashëgimisë kulturore nga territori i Republikës së Shqipërisë.
“Mbrojtja e objekteve të trashëgimisë kulturore është një detyrim institucional dhe kombëtar. Këto objekte përfaqësojnë identitetin, historinë dhe kujtesën tonë kolektive dhe ruajtja e tyre është thelbësore për brezat e sotëm dhe të ardhshëm,” nënvizoi në fjalën e tij Drejtori i Antitrafikut në Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave, Erlis Abazaj.
Aktiviteti u zbatua nga Cultural Heritage without Borders Albania (Trashëgimia Kulturore pa Kufij Shqipëri), me mbështetjen e Programit të Granteve për Zbatimin e Marrëveshjes për Pronën Kulturore (CPAIG), financuar nga Departamenti i Shtetit i SHBA-së, përmes Ambasadës së SHBA-së në Shqipëri.
Drejtoria e Përgjithshme e Doganave mbetet e angazhuar për të forcuar bashkëpunimin me partnerët kombëtarë dhe ndërkombëtarë në mbrojtje të trashëgimisë kulturore shqiptare dhe në luftën kundër trafikimit të paligjshëm të saj.