Institucioni > Aktivitete të Administratës Doganore >
Tiranë, 7 Maj 2026 – Administrata Doganore Shqiptare, në bashkëpunim me Zyrën e Kombeve të Bashkuara për Drogën dhe Krimin (UNODC), zhvilloi në Tiranë trajnimin praktik bazë për Njësinë e Kontrollit në Aeroport (Airport Control Unit – ACU), në kuadër të projektit rajonal “Veprimi i Përbashkët BE–UNODC për promovimin e shtetit të së drejtës dhe qeverisjes së mirë përmes masave të targetuara të kontrollit kufitar në porte dhe aeroporte në Europën Juglindore – Faza II (2024–2027)”.
Trajnimi u organizua nga Programi i Kontrollit të Pasagjerëve dhe Mallrave (PCCP) i UNODC-së dhe synon forcimin e kapaciteteve të strukturave doganore dhe policore në identifikimin, parandalimin dhe goditjen e aktiviteteve të paligjshme ndërkufitare, përmes teknikave moderne të kontrollit dhe analizës së riskut në aeroport.
Gjatë pesë ditëve të trajnimit, oficerët doganorë dhe të policisë kufitare të angazhuar në Njësinë e Kontrollit në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës morën njohuri mbi:
· profilizimin e pasagjerëve dhe mallrave;
· përdorimin operacional të sistemeve API/PNR;
· analizën e sjelljes dhe teknikat e intervistimit;
· interpretimin e imazheve X-ray;
· përdorimin e inteligjencës operative dhe mjeteve OSINT;
· identifikimin e metodave të fshehjes dhe trafiqeve të paligjshme;
· forcimin e gatishmërisë operacionale dhe bashkëpunimit ndërinstitucional.
Programi përfshinte gjithashtu ushtrime praktike dhe simulime operacionale në ambientet e Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës, me fokus kontrollin e pasagjerëve dhe kargos ajrore.
Përmes këtij programi, synohet rritja e efektivitetit të kontrollit kufitar në aeroportet dhe pikat hyrëse në rajon, në përputhje me standardet europiane dhe praktikat më të mira ndërkombëtare në luftën kundër krimit të organizuar ndërkombëtar dhe trafiqeve të paligjshme.