Institucioni > Aktivitete të Administratës Doganore >
Prishtinë, 23 Prill 2026 – Drejtori i Përgjithshëm i Doganave, z. Besmir Beja, zhvilloi një takim zyrtar me Drejtorin e Përgjithshëm të Doganave të Kosovës, Agron Llugaliu, në kuadër të forcimit të bashkëpunimit ndërinstitucional ndërmjet dy administratave doganore.
Takimi dypalësh, i zhvilluar në ambientet e Administratës Doganore të Kosovës, mblodhi drejtuesit kryesorë të të dy institucioneve, të cilët rikonfirmuan marrëdhëniet shumë të mira dhe bashkëpunimin e konsoliduar ndër vite, duke theksuar nevojën për ta çuar atë në një stad më të avancuar përmes veprimeve dhe iniciativave të përbashkëta.
Gjatë diskutimeve u evidentua rëndësia e lehtësimit të mëtejshëm të tregtisë dhe procedurave doganore, duke u ndalur veçanërisht te roli i zyrave të Doganës së Kosovës në Portin e Durrësit dhe Porto Romano, të cilat kanë kontribuar në përshpejtimin e përpunimit të mallrave dhe uljen e kostove për operatorët ekonomikë. Po ashtu, u theksua rëndësia e digjitalizimit dhe ndërveprimit të sistemeve, përmes përdorimit të përbashkët të ASYCUDA World dhe shkëmbimit elektronik të të dhënave, si një element kyç për rritjen e transparencës dhe efikasitetit.
Një tjetër fokus i rëndësishëm ishte forcimi i bashkëpunimit në fushën e menaxhimit të riskut dhe shkëmbimit të informacionit në kohë reale, si dhe bashkëpunimi operacional dhe hetimor përmes veprimeve të koordinuara dhe pjesëmarrjes në iniciativa të përbashkëta rajonale. Gjithashtu, u vlerësua pozitivisht progresi i arritur në lehtësimin e lëvizjes në pikat kufitare, përmes procedurave të harmonizuara dhe funksionimit të pikës së përbashkët “One Stop Shop” në Morinë – Vërmicë, që ka ndikuar në reduktimin e kohës së pritjes dhe rritjen e flukseve tregtare.
“Objektivi ynë është t’i çojmë në një stad edhe më të avancuar marrëdhëniet shumë të mira mes dy Administratave Doganore, përmes veprimeve të koordinuara dhe iniciativave të përbashkëta, në funksion të lehtësimit të tregtisë së ligjshme, rritjes së sigurisë dhe garantimit të konkurrencës së ndershme për bizneset në të dy vendet,” u shpreh ndër të tjera në fjalën e tij, Drejtori i Përgjithshëm i Doganave, z. Besmir Beja.
Ai theksoi gjithashtu rëndësinë e forcimit të mëtejshëm të bashkëpunimit në fushën e zbatimit të ligjit, analizës së riskut dhe shkëmbimit të informacionit, si elementë kyç për një administrim modern dhe efikas doganor.
Palët vlerësuan pozitivisht funksionimin e Komitetit të Përbashkët të Ekspertëve dhe mekanizmave ekzistues të bashkëpunimit, duke nënvizuar rolin e tyre në adresimin e çështjeve teknike dhe përmirësimin e vazhdueshëm të procedurave.
Vizita shërbeu për të riafirmuar angazhimin e përbashkët për forcimin e bashkëpunimit dypalësh dhe për zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve ndërmjet dy administratave doganore, në funksion të mbështetjes së zhvillimit ekonomik dhe rritjes së shkëmbimeve tregtare mes Shqipërisë dhe Kosovës.