Institucioni > Aktivitete të Administratës Doganore >
Tiranë, 21.04.2026 - Përfaqësues të Administratës Doganore morën pjesë në Konferencën e 6-të të Rrjetit Ballkanik për Mbrojtjen e Euros (Balkan Network for Euro Protection), e zhvilluar në Dubrovnik, Kroaci.
Ky aktivitet rajonal mblodhi ekspertë dhe përfaqësues të institucioneve financiare, autoriteteve ligjzbatuese dhe strukturave doganore nga vendet e rajonit dhe më gjerë, me qëllim forcimin e bashkëpunimit në luftën kundër falsifikimit të monedhës dhe mbrojtjen e integritetit të euros.
Gjatë sesioneve të konferencës u trajtuan çështje të rëndësishme si situata aktuale dhe tendencat e falsifikimit të kartëmonedhave dhe monedhave euro, kërcënimet e reja që lidhen me teknologjinë dhe aktivitetet në internet/darknet, si dhe praktikat më të mira në bashkëpunimin ndërinstitucional dhe ndërkufitar. Një vëmendje e veçantë iu kushtua rolit të autoriteteve doganore në identifikimin dhe parandalimin e hyrjes së parave të falsifikuara përmes kufijve, si dhe bashkëpunimit me agjenci ndërkombëtare si Europol dhe Eurojust.
Konferenca shërbeu gjithashtu si një platformë për shkëmbimin e eksperiencave mes vendeve të rajonit lidhur me sfidat konkrete në luftën kundër falsifikimit dhe për forcimin e kapaciteteve institucionale, veçanërisht për vendet jo-anëtare të Bashkimit Europian.
Pjesëmarrja në këtë aktivitet është në linjë me angazhimin e Administratës Doganore për të rritur standardet e sigurisë, për të kontribuuar në luftën kundër aktiviteteve të paligjshme financiare dhe për të forcuar bashkëpunimin rajonal dhe ndërkombëtar në mbrojtje të sistemit financiar.