Institucioni > Aktivitete të Administratës Doganore >
Në mbledhjen e zhvilluar sot, Bordi i Transparencës dhe Kufizimit të Përkohshëm të Çmimeve miratoi, me Vendimin nr. 10, datë 17.04.2026, çmimet e reja tavan për tregtimin me shumicë dhe pakicë të nënprodukteve të naftës dhe gazit.
Vendimi është marrë në kuadër të monitorimit të vazhdueshëm të tregut të hidrokarbureve dhe në zbatim të kuadrit ligjor në fuqi, përfshirë Vendimin e Këshillit të Ministrave nr. 186, datë 19.03.2026, si dhe Aktin Normativ nr. 1, datë 03.04.2026.
Çmimet e miratuara reflektojnë zhvillimet në tregjet ndërkombëtare, sipas publikimeve të agjencisë “S&P Global Platts”, si dhe përfshijnë detyrimet doganore, tatimore dhe TVSH-në, në përputhje me metodologjinë e përcaktuar në legjislacionin në fuqi.
Bazuar në përllogaritjet e kryera, çmimet rezultojnë nën pragjet e përcaktuara për aplikimin e akcizës së reduktuar. Për rrjedhojë, për produktet gazoil dhe benzinë do të vijojë të zbatohet niveli i plotë i akcizës (100%).
Çmimet e miratuara janë çmime tavan (maksimale), të detyrueshme për të gjithë operatorët ekonomikë, ndërsa tregtimi me çmime më të ulëta lejohet.
Sipas vendimit, çmimet tavan janë:
Për shitjen me shumicë:
198 lekë/litri për gazoilin
164 lekë/litri për benzinën
Për shitjen me pakicë:
210 lekë/litri për gazoilin
176 lekë/litri për benzinën
Gjithashtu, është ngarkuar administrata doganore për zbatimin në sistem të nivelit të plotë të akcizës për produktet përkatëse, sipas përcaktimeve ligjore.
Vendimi hyn në fuqi në datën 17 prill 2026, ora 16:00, dhe do të mbetet në fuqi deri në një njoftim të dytë nga Bordi.
Ky vendim është i detyrueshëm për të gjitha subjektet që operojnë në tregtimin me shumicë dhe pakicë të nënprodukteve të naftës dhe gazit dhe do të publikohet në Fletoren Zyrtare, si dhe në faqet zyrtare të institucioneve përgjegjëse.