Institucioni > Aktivitete të Administratës Doganore >
Bruksel, 16.04.2026 - Me ftesë të Organizatës Botërore të Doganave dhe Autoriteteve Doganore të Mbretërisë së Bashkuar (HMRC-HM Revenue &Customs), Drejtori i Përgjithshëm i Doganave, z. Besmir Beja, po merr pjesë në Takimin Vjetor të Drejtuesve të Doganave të rajonit të Europës, që zhvillohet në Bruksel.
Konferenca është një mundësi e mirë për shkëmbimin e eksperiencës mes drejtuesve të lartë të Agjencive e Administratave Doganore të vendeve të Europës, në funksion të rritjes së bashkëpunimit në disa fusha, si zbatimi i ligjit, rritja e kapaciteteve dhe koordinimi me partnerët, përfshirë dhe sektorin privat e sipërmarrjen.
Në fjalën e tij, sekretari i Përgjithshëm i OBD, Ian Saunders, e vendosi theksin në rëndësinë e bashkëpunimit mes administrative doganore për lehtësimin e tregtisë, sigurimin e zinxhirit të shpërndarjes, zbatimin e rregullave të origjinës, komunikimin dhe përmirësimin e qeverisjes së Organizatës Botërore të Doganave.
Në fokus të diskutimeve janë gjithashtu bashkëpunimi me sektorin privat, zhvillimi i kapaciteteve të tranzitit dhe përmirësimi i infrastrukturës doganore, si elementë kyç për përballimin e sfidave të tregtisë ndërkombëtare dhe proceseve të digjitalizimit.
Gjatë konferencës u trajtuan gjithashtu çështje që lidhen me rritjen e efektivitetit operacional, përmirësimin e bashkëpunimit ndërmjet administratave dhe zbatimin e standardeve të OBD-së. Një vëmendje e veçantë iu kushtua forcimit të kapaciteteve në nivel rajonal, përmes rolit të Zyrës Rajonale për Ndërtimin e Kapaciteteve për Europën (ROCB Europe), si dhe diskutimit të Planit Strategjik të Veprimit 2026–2027.
Pjesëmarrja e Shqipërisë në këtë forum të rëndësishëm konfirmon angazhimin për të qenë pjesë aktive në iniciativat rajonale dhe për të kontribuar në forcimin e sigurisë, lehtësimin e tregtisë dhe harmonizimin e praktikave doganore në përputhje me standardet ndërkombëtare.