Institucioni > Aktivitete të Administratës Doganore >
Në kuadër të bashkëpunimit të vazhdueshëm me Programin NSDD (Nuclear Smuggling Detection and Deterrence) të Departamentit të Energjisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, u zhvillua vizita periodike monitoruese pranë Degës Doganore të Hanit të Hotit, me fokus forcimin e kapaciteteve për zbulimin dhe parandalimin e kontrabandës së materialeve radioaktive.
Gjatë aktivitetit, vëmendje e veçantë iu kushtua funksionimit në terren të sistemit të lëvizshëm të detektimit të radioaktivitetit (Mobile Detection System – MDS), një mjet i avancuar teknologjik që mundëson identifikimin në kohë reale të pranisë së materialeve radioaktive në mjete transporti, ngarkesa apo ambiente të ndryshme.
Përdorimi i këtij sistemi i jep mundësi strukturave doganore të kryejnë kontrolle të shpejta dhe të sakta, duke rritur ndjeshëm efektivitetin e operacioneve në terren dhe duke garantuar reagim të menjëhershëm në rastet e dyshuara. Nëpërmjet monitorimit të vazhdueshëm dhe zbatimit rigoroz të procedurave operacionale, synohet minimizimi i rrezikut nga qarkullimi i paligjshëm i materialeve radioaktive.
Vizita shërbeu gjithashtu për të vlerësuar nivelin e gatishmërisë së personelit, për të evidentuar nevoja të mëtejshme për trajnime dhe për të shkëmbyer praktikat më të mira ndërkombëtare në këtë fushë.
Administrata Doganore Shqiptare mbetet e angazhuar në forcimin e kontrolleve në kufi dhe në garantimin e sigurisë publike, përmes përdorimit të teknologjisë së avancuar dhe bashkëpunimit të ngushtë me partnerët ndërkombëtarë.