Institucioni > Aktivitete të Administratës Doganore >
Tiranë, 07.04.2026 - Drejtori i Përgjithshëm i Doganave, Besmir Beja, zhvilloi sot një takim me Ambasadorin e Mbretërisë së Holandës në Tiranë, Reinout Vos, në kuadër të forcimit të bashkëpunimit dypalësh dhe thellimit të marrëdhënieve ekonomike mes dy vendeve.
Gjatë takimit, palët vlerësuan nivelin shumë të mirë të bashkëpunimit ndërmjet Shqipërisë dhe Holandës, veçanërisht në drejtim të shkëmbimeve tregtare dhe theksuan rolin e rëndësishëm që ka Administrata Doganore në lehtësimin e tregtisë së ligjshme, rritjen e transparencës dhe krijimin e një klime të favorshme për investimet e huaja.
Drejtori i Përgjithshëm i Doganave konfirmoi angazhimin e institucionit që ai drejton për të intensifikuar bashkëpunimin me bizneset hollandeze që operojnë në Shqipëri, duke ofruar mbështetje institucionale, procedura më efikase dhe një komunikim më të drejtpërdrejtë me komunitetin e biznesit.
Nga ana e tij, Ambasadori Vos vlerësoi përpjekjet e Administratës Doganore Shqiptare në drejtim të modernizimit dhe përmirësimit të shërbimeve, duke shprehur gatishmërinë e Holandës për të vijuar mbështetjen teknike dhe bashkëpunimin në fusha me interes të përbashkët.
Në vijim të diskutimeve, Drejtori i Përgjithshëm i Doganave vlerësoi mbështetjen e vazhdueshme të Holandës në procesin e integrimit europian të Shqipërisë, duke e konsideruar këtë si një faktor të rëndësishëm në avancimin e reformave dhe përafrimin me standardet e Bashkimit Europian.