Institucioni > Aktivitete të Administratës Doganore >
Tiranë, 01.04.2026 - Drejtori i Përgjithshëm i Doganave, z. Besmir Beja, së bashku me ministrin e Financave, z. Petrit Malaj, zhvilluan një vizitë pune në pikën doganore Hani i Hotit, e cila është një nga pikat doganore më të rëndësishme të vendit tonë dhe përbën një nga portat kryesore tregtare drejt tregjeve evropiane.
Gjatë vizitës, ata u njohën nga afër me aktivitetin e përditshëm të degës doganore, procesin e përpunimit të deklaratave doganore dhe masat që po merren për lehtësimin e skanimit të mallrave dhe mjeteve, me qëllim rritjen e sigurisë, shpejtësisë së përpunimit dhe transparencës së procedurave.
Gjatë takimit me punonjësit e kësaj dege doganore u diskutua edhe mbi çështje që lidhen me fluksin e lartë të transportit ndërkombëtar, kohën e pritjes, përmirësimin e koordinimit me autoritetet doganore të Malit të Zi, si dhe investimet e nevojshme në infrastrukturë dhe digjitalizim për të lehtësuar aktivitetin e bizneseve dhe transportuesve.
Ministri Malaj theksoi rëndësinë e modernizimit të administratës doganore dhe lehtësimit të procedurave për biznesin, sidomos sa i përket kontrollit të importeve dhe eksporteve, për procesin e integrimit europian të Shqipërisë.
Drejtori i Përgjithshëm i Doganave, tha se ky institucion po zbaton një model europian, i cili synon një doganë të shpejtë, transparente dhe të besueshme, duke përdorur teknologjinë e informacionit, analizën e të dhënave dhe bashkëpunimin ndërinstitucional. Ndërkohë, një prej objektivave kryesorë mbetet nxitja e qarkullimit të më shumë eksporteve shqiptare dhe garantimi i furnizimit më të shpejtë të importeve, duke forcuar kështu edhe besimin te partnerët ndërkombëtarë.
Zyra Doganore Hani i Hotit është një nga pikat doganore me rëndësi strategjike për të gjithë rajonin verior të Shqipërisë. Kjo pikë doganore tokësore me Malin e Zi mban peshën kryesore të aktivitetit doganor në rajon. Të ardhurat e realizuara për vitin 2025 kanë ardhur në rritje, ndërsa koha mesatare e zhdoganimit në ulje, duke reflektuar përmirësimin e proceseve dhe eficiencën operacionale.