Institucioni > Aktivitete të Administratës Doganore >
Bordi i Transparencës dhe Kufizimit të Përkohshëm të Çmimeve ka miratuar sot, me Vendimin nr. 2, datë 28.03.2026, çmimet tavan për tregtimin me shumicë dhe pakicë të nënprodukteve të naftës dhe gazit, në kuadër të masave për menaxhimin e situatës së veçantë në tregun e hidrokarbureve.
Ky vendim mbështetet në Vendimin e Këshillit të Ministrave nr. 186, datë 19.03.2026, si dhe në dispozitat e Ligjit nr. 8450, datë 24.02.1999, “Për përpunimin, transportimin dhe tregtimin e naftës, të gazit dhe nënprodukteve të tyre”, të ndryshuar.
Çmimet e miratuara reflektojnë zhvillimet në bursat ndërkombëtare, të publikuara nga agjencia “S&P Global Platts”, si dhe përfshijnë detyrimet doganore e tatimore dhe marzhet bruto maksimale të tregtimit. Këto çmime janë tavan (maksimale), çka nënkupton se asnjë operator ekonomik nuk mund t’i tregtojë produktet mbi këto nivele, ndërsa lejohet tregtimi me çmime më të ulëta.
Sipas vendimit, çmimet tavan janë si më poshtë:
Për shitjen me shumicë:
• 206 lekë/litri për gazoilin
• 169 lekë/litri për benzinën
Për shitjen me pakicë:
• 218 lekë/litri për gazoilin
• 181 lekë/litri për benzinën
Vendimi hyn në fuqi menjëherë, duke filluar nga data 28 mars 2026, ora 10:30, dhe do të mbetet në fuqi deri në një njoftim të dytë nga Bordi.