Institucioni > Aktivitete të Administratës Doganore >
Tiranë, 25.03.2026 - Drejtori i Përgjithshëm i Doganave, Besmir Beja, zhvilloi sot një takim pune me përfaqësues të bizneseve që operojnë në Zonën e Lirë Doganore të Porto Romanos, një nyje strategjike për importin dhe menaxhimin e hidrokarbureve në vend.
Në fokus të diskutimeve ishin zhvillimet më të fundit në tregun e hidrokarbureve, si dhe ndikimi i tyre në zinxhirin e furnizimit, nga importi deri në depozitimin dhe shpërndarjen në tregun vendas. Bizneset vlerësuan funksionimin normal të procedurave dhe bashkëpunimin me administratën doganore, duke theksuar rëndësinë e vazhdimësisë së këtij standardi.
Gjatë takimit, u evidentua roli kyç i Zonës së Lirë të Porto Romanos, ku operojnë kompani të rëndësishme në fushën e hidrokarbureve, përfshirë terminale si Romano Port dhe MBM Port, të cilat përbëjnë pika kryesore të depozitimit dhe trajtimit të karburanteve. Në këtë kontekst, u theksua rëndësia e monitorimit të vazhdueshëm të zinxhirit të furnizimit, në bashkëpunim me institucionet përgjegjëse, me qëllim garantimin e transparencës dhe zbatimit të plotë të kuadrit ligjor.
Drejtori i Përgjithshëm i Doganave vlerësoi bashkëpunimin me operatorët ekonomikë, duke theksuar se administrata doganore mbetet e angazhuar për të lehtësuar procedurat, duke ruajtur njëkohësisht standardet e kontrollit dhe sigurisë. Ai nënvizoi se, nevojitet një bashkëpunim i ndërsjellë, me synim për të garantuar një treg të qëndrueshëm të hidrokarbureve, si dhe për të përmirësuar më tej eficiencën e operacioneve në një nga pikat më të rëndësishme të infrastrukturës energjetike në vend.