Institucioni > Aktivitete të Administratës Doganore >
Tiranë, 25.05.2026 - Administrata Doganore mori pjesë në trajnimin rajonal për parandalimin dhe luftën kundër trafikimit të qenieve njerëzore dhe kontrabandës së migrantëve, i zhvilluar në Shkup, Maqedoni e Veriut.
Ky trajnim u organizua nga Zyra e Kombeve të Bashkuara për Drogën dhe Krimin (United Nations Office on Drugs and Crime), në bashkëpunim me projektin EU4FAST, në kuadër të zbatimit të veprimit të përbashkët BE–UNODC për forcimin e sundimit të ligjit dhe qeverisjes së mirë përmes masave të synuara të kontrollit kufitar në porte dhe aeroporte në Evropën Juglindore (Faza II, 2024–2027).
Në këtë aktivitet morën pjesë përfaqësues të Doganës Shqiptare, pjesë e njësive ndërinstitucionale të kontrollit kufitar në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës dhe në Portin e Durrësit, duke kontribuar në shkëmbimin e përvojave dhe praktikave më të mira në nivel rajonal.
Trajnimi kishte në fokus forcimin e kapaciteteve operacionale të strukturave të vijës së parë, si dhe rritjen e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe rajonal në luftën kundër trafikimit të qenieve njerëzore dhe kontrabandës së migrantëve. Gjatë sesioneve të zhvilluara, pjesëmarrësit trajtuan çështje që lidhen me kuadrin ligjor ndërkombëtar, rolin e bashkëpunimit rajonal, përdorimin e zgjidhjeve digjitale në kontrollin kufitar, si dhe hartimin e procedurave standarde të përbashkëta për menaxhimin e rasteve në kufi.
Pjesëmarrja në këtë trajnim shërben për forcimin e mëtejshëm të rolit të Administratës Doganore në garantimin e sigurisë kufitare, si dhe në përmbushjen e standardeve ndërkombëtare në luftën kundër krimit ndërkufitar, në bashkëpunim të ngushtë me partnerët vendas dhe ndërkombëtarë.