Institucioni > Aktivitete të Administratës Doganore >
Drejtori i Përgjithshëm i Doganave, Besmir Beja, zhvilloi sot një vizitë pune në Degën Doganore Durrës, ku prezantoi drejtuesin e ri të kësaj dege, Drilon Bushati.
Gjatë prezantimit, Drejtori i Përgjithshëm theksoi se z. Bushati merr sot këtë detyrë të rëndësishme pas një përvoje të gjatë në sistemin doganor, ku ka mbajtur një sërë pozicionesh drejtuese dhe ka kontribuar në mënyrë të vazhdueshme në forcimin e administratës doganore. Ai u shpreh i bindur se ky ndryshim do të shërbejë për të çuar përpara objektivat e Degës Doganore Durrës.
Në fjalën e tij drejtuar stafit, z. Beja kërkoi angazhim maksimal, devotshmëri dhe profesionalizëm në përmbushjen e detyrave, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit dhe integritetit në punë. Ai inkurajoi stafin që të mbështesë drejtuesin e ri dhe të vijojë me të njëjtin përkushtim në realizimin e prioriteteve të institucionit.
Njëkohësisht, Drejtori i Përgjithshëm vlerësoi kontributin dhe angazhimin e drejtuesit që përfundoi detyrën, Denis Shabani, për punën e kryer dhe rezultatet e arritura gjatë drejtimit të kësaj dege
Në vijim të vizitës, Drejtori i Përgjithshëm dhe drejtuesi i ri zhvilluan një tur inspektues në disa nga sektorët kryesorë të degës, përfshirë Sektorin e Kontejnerëve, Terminalin e Pasagjerëve dhe sheshin e trageteve, Sektorin e Eksporteve, si dhe Skanerin, me qëllim njohjen nga afër të proceseve të punës dhe evidentimin e nevojave për përmirësim të mëtejshëm.
Drejtoria e Përgjithshme e Doganave mbetet e angazhuar në forcimin e kapaciteteve administrative dhe rritjen e performancës në të gjitha degët doganore, në funksion të një shërbimi sa më efikas dhe transparent ndaj qytetarëve dhe biznesit.