Institucioni > Aktivitete të Administratës Doganore >
Në kuadër të Kryesimit të Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë të Europës Qendrore (CEFTA) nga Shqipëria gjatë vitit 2026, më 18 mars u zhvillua në Tiranë Prezantimi i prioriteteve dhe programeve të punës së CEFTA-s për vitin 2026.
Aktiviteti u organizua nga Sekretariati i CEFTA-s në bashkëpunim me Ministrinë e Ekonomisë dhe Inovacionit, me pjesëmarrjen e Ministres Znj. Delina Ibrahimaj dhe Drejtores së Sekretariatit të CEFTA-s, Znj. Pranvera Kastrati, si dhe përfaqësues të institucioneve publike, sektorit privat dhe partnerëve ndërkombëtarë.
CEFTA është një marrëveshje rajonale që synon krijimin e një zone të lirë tregtare ndërmjet vendeve të Europës Juglindore, duke lehtësuar lëvizjen e mallrave, reduktuar barrierat tregtare dhe duke harmonizuar procedurat ndërmjet administratave përkatëse. Në fokus të saj janë rregullat e origjinës, lehtësimi i tregtisë, digjitalizimi i proceseve dhe afrimi gradual me standardet e Bashkimit Europian, në funksion të integrimit ekonomik rajonal dhe përgatitjes për tregun e përbashkët evropian.
Në këtë kuadër, Dogana Shqiptare luan një rol kyç në zbatimin praktik të marrëveshjes, duke qenë institucioni përgjegjës për kontrollin, verifikimin dhe certifikimin e origjinës së mallrave, si dhe për garantimin e zbatimit korrekt të procedurave preferenciale tregtare. Rëndësia e këtij roli u reflektua edhe gjatë vitit të kaluar, kur Dogana Shqiptare mbajti kryesimin e nënkomitetit të CEFTA-s për Rregullat e Origjinës, duke kontribuar aktivisht në avancimin e diskutimeve teknike dhe përmirësimin e mekanizmave të zbatimit në nivel rajonal.
Gjatë aktivitetit, u prezantuan prioritetet e Shqipërisë për vitin 2026 dhe programet e punës së strukturave të CEFTA-s, me fokus të veçantë në zbatimin e Planit të Veprimit 2025–2028 për krijimin e Tregut të Përbashkët Rajonal. Në sesionin e përbashkët, ku morën pjesë përfaqësues të administratës publike dhe komunitetit të biznesit, u diskutua mbi forcimin e partneritetit ndërmjet institucioneve dhe sektorit privat, si një element kyç për realizimin e reformave dhe rritjen e përfitimeve ekonomike.
Përfaqësuesit e Doganës Shqiptare theksuan angazhimin për vijimin e reformave në drejtim të modernizimit të procedurave, rritjes së transparencës dhe dixhitalizimit të shërbimeve, në përputhje me standardet më të mira evropiane. Pjesëmarrja aktive e Doganës Shqiptare në këtë aktivitet konfirmon rolin e saj strategjik në funksionimin e CEFTA dhe në avancimin e bashkëpunimit ekonomik rajonal, duke kontribuar drejtpërdrejt në lehtësimin e tregtisë dhe krijimin e një mjedisi më konkurrues për biznesin shqiptar.