Institucioni > Aktivitete të Administratës Doganore >
Tiranë, 12.03.2026 - Në Shkup u zhvillua takimi për rritjen e kapaciteteve kundër përhapjes së armëve të shkatërrimit në masë, i organizuar nga Qendra Rajonale për Bashkëpunim në Fushën e Sigurisë, RACVIAC në kuadër të iniciativave rajonale për forcimin e kapaciteteve në luftën kundër përhapjes së armëve të shkatërrimit në masë (WMD).
Ky aktivitet, pjesë e iniciativës rajonale për kundërpërhapjen e WMD-ve, synon të mbështesë vendet anëtare të RACVIAC në identifikimin dhe zhvillimin e nevojave, si dhe në përmirësimin e aftësive institucionale për të parandaluar përhapjen e paligjshme të materialeve të ndjeshme, mallrave me përdorim të dyfishtë dhe prekursorëve të lidhur me to.
Tema kryesore e këtij takimi ishte siguria kufitare, një prioritet i identifikuar nga vendet anëtare gjatë takimeve të mëparshme rajonale, me fokus në forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe koordinimin e përpjekjeve për të adresuar kërcënimet që lidhen me përhapjen e armëve të shkatërrimit në masë.
Pjesëmarrja në këtë aktivitet paraqet një rëndësi të veçantë për Administratën Doganore Shqiptare, duke qenë se Dogana ka një rol kyç në kontrollin e mallrave në kufi, identifikimin e materialeve të rrezikshme dhe zbatimin e regjimeve ndërkombëtare të kontrollit të eksportit dhe masave shtrënguese ndërkombëtare.
Takimi u zhvillua përmes prezantimeve, diskutimeve të moderuara, analizave të rasteve nga vendet pjesëmarrëse dhe ushtrimeve praktike mbi sigurinë kufitare, duke krijuar një platformë për shkëmbimin e eksperiencave dhe praktikave më të mira mes përfaqësuesve të institucioneve përgjegjëse për parandalimin e përhapjes së WMD-ve në rajon.
Pjesëmarrës në këtë aktivitet ishin përfaqësues të nivelit të mesëm dhe të lartë nga institucionet përgjegjëse për kontrollin e eksportit, sigurinë kufitare dhe luftën kundër përhapjes së armëve të shkatërrimit në masë, me qëllim forcimin e bashkëpunimit rajonal dhe rritjen e gatishmërisë operacionale për përballimin e këtyre kërcënimeve.