Institucioni > Aktivitete të Administratës Doganore >
Tiranë, 11.03.2026 - Drejtori i Përgjithshëm i Doganave, Besmir Beja, zhvilloi sot një takim me një delegacion të UNODC, (Zyra e Kombeve të Bashkuara për Drogën dhe Krimin), të kryesuar nga Danilo Rizzi, Përfaqësues Rajonal për Europën Juglindore (SEE) në kuadër të konsolidimit dhe thellimit të bashkëpunimit në fushën e kontrollit kufitar dhe luftës kundër trafiqeve të paligjshme.
Gjatë takimit, Drejtori i Përgjithshëm shprehu gatishmërinë dhe angazhimin e Administratës Doganore Shqiptare për vijimin dhe forcimin e bashkëpunimit me UNODC, me synim rritjen e kapaciteteve të strukturave doganore në parandalimin dhe goditjen e aktiviteteve të paligjshme ndërkufitare. Palët ndanë një vizion të përbashkët për zhvillimin e mëtejshëm të infrastrukturës së kontrollit kufitar, bazuar në një vlerësim të qartë të nevojave konkrete të administratës doganore, si dhe për forcimin e ekspertizës profesionale në këtë fushë.
Në këtë kuadër u theksua edhe rëndësia e bashkëpunimit rajonal dhe ndërkombëtar për të adresuar në mënyrë më efektive sfidat që lidhen me trafikun e paligjshëm, përfshirë krimin e organizuar ndërkombëtar, kontrabandën dhe forma të tjera të aktiviteteve të paligjshme që prekin sigurinë dhe integritetin e kufijve.
Nga ana e tyre, përfaqësuesit e UNODC prezantuan nismat që po zbatohen në rajonin e Europës Juglindore në kuadër të programit të përbashkët të Bashkimit Europian dhe UNODC për forcimin e sundimit të ligjit dhe përmirësimin e masave të kontrollit kufitar në porte, aeroporte dhe pika të tjera të kalimit kufitar. Ky program synon të rrisë kapacitetet e agjencive përfituese në rajon për të adresuar në mënyrë më efektive krimin e organizuar ndërkombëtar, përmes reagimeve më të koordinuara të strukturave ligjzbatuese ndaj trafiqeve të paligjshme.
Në përmbyllje të takimit u diskutua edhe organizimi i trajnimit praktik bazë për njësitë e kontrollit në aeroporte, i cili parashikohet të zhvillohet në Tiranë në datat 4–8 maj 2026, në kuadër të Programit për Kontrollin e Pasagjerëve dhe Ngarkesave të UNODC. Trajnimi synon pajisjen e oficerëve të doganës dhe të policisë kufitare me aftësi praktike për identifikimin dhe adresimin e kërcënimeve që lidhen me trafikun e paligjshëm të mallrave dhe personave, si dhe për forcimin e koordinimit operacional ndërmjet institucioneve përgjegjëse për menaxhimin e kufirit.
Takimi u vlerësua si një hap i rëndësishëm në drejtim të intensifikimit të bashkëpunimit institucional dhe zhvillimit të mekanizmave më efektivë për garantimin e sigurisë dhe kontrollit në kufijtë e vendit.