Institucioni > Aktivitete të Administratës Doganore >
Përfaqësues të Administratës Doganore Shqiptare morën pjesë në takimin rajonal mbi amendamentet për mbetjet elektronike (E-waste) për vendet e Europës Lindore, organizuar në Bratislavë, Sllovaki, nga Sekretariati i Basel Convention në kuadër të Konventave BRS (Basel, Rotterdam dhe Stockholm).
Ky takim rajonal, i zhvilluar në formën e një tryeze bashkëpunimi ndërmjet autoriteteve kompetente, u fokusua në zbatimin e amendamenteve të reja të Konventës së Bazelit lidhur me lëvizjet ndërkufitare të mbetjeve elektronike, forcimin e procedurës së Pëlqimit Paraprak të Informuar (PIC), si dhe në përmirësimin e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe ndërkufitar ndërmjet autoriteteve përgjegjëse.
Pjesëmarrja e Doganave Shqiptare në këtë takim rajonal përforcon angazhimin institucional për:
• rritjen e kapaciteteve në kontrollin e lëvizjeve ndërkufitare të mbetjeve elektronike;
• forcimin e bashkëpunimit rajonal dhe ndërkombëtar në fushën e mbrojtjes së mjedisit;
• garantimin e zbatimit efektiv të detyrimeve ndërkombëtare që burojnë nga Konventa e Bazelit;
• mbrojtjen e shëndetit publik dhe sigurisë kombëtare nga rreziqet që lidhen me trafikimin e paligjshëm të mbetjeve të rrezikshme.
Menaxhimi i duhur i mbetjeve elektronike përbën një sfidë në rritje për shkak të ndikimit të tyre potencial në mjedis, në shëndetin e qytetarëve dhe në sigurinë e zinxhirëve të furnizimit. Në këtë kuadër, roli i Administratës Doganore është thelbësor për identifikimin, monitorimin dhe parandalimin e lëvizjeve të paligjshme ndërkufitare.
Përmes pjesëmarrjes në tryeza dhe takime rajonale, Doganat Shqiptare kontribuojnë në shkëmbimin e praktikave më të mira, harmonizimin me standardet ndërkombëtare dhe forcimin e mekanizmave të koordinimit me autoritetet homologe të vendeve të rajonit dhe partnerët ndërkombëtarë.
Administrata Doganore mbetet e angazhuar në forcimin e kontrollit të mallrave me risk mjedisor dhe në konsolidimin e rolit të saj si një aktor kyç në mbrojtjen e mjedisit, shëndetit publik dhe interesit kombëtar.