Institucioni > Aktivitete të Administratës Doganore >
Tiranë, 24.02.2026 - Në konferencën e përbashkët për mediat, ku ishin të pranishëm drejtues të Autoritetit Rrugor Shqiptar, Hekurudhës Shqiptare, Shërbimit Gjeologjik Shqiptar, Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile dhe Policisë së Shtetit, Drejtori i Përgjithshëm i Doganave, Besmir Beja, paraqiti masat e ndërmarra nga Dogana Shqiptare pas bllokimit të aksit Librazhd–Elbasan.
Në fjalën e tij, ai theksoi se situata është trajtuar me prioritet të menjëhershëm nga strukturat doganore. “Që nga momenti i parë i krijimit të kësaj situate, Drejtoria e Përgjithshme e Doganave ka marrë masa konkrete për të garantuar vijimësinë e formaliteteve doganore dhe për të minimizuar ndikimin tek operatorët ekonomikë,” u shpreh ai.
Z. Beja bëri me dije se, për të shmangur pezullimin e lëvizjes së mallrave, janë orientuar alternativa përmes pikave kufitare Bllatë dhe Kakavijë, në varësi të origjinës së hyrjes së mallrave në territor. “Kemi riorganizuar punën dhe kemi forcuar kapacitetet logjistike dhe njerëzore në degët kufitare për të përballuar fluksin e shtuar dhe për të garantuar përpunim sa më të shpejtë të procedurave,” deklaroi ai.
Në kuadër të koordinimit ndërinstitucional dhe bashkëpunimit me autoritetet homologe, Drejtori i Përgjithshëm nënvizoi se është siguruar mirëkuptim i plotë nga pala e Maqedonisë së Veriut për lehtësimin e kalimeve në pikën e Bllatës. “Jemi në kontakte intensive me autoritetet homologe dhe kemi gjetur gatishmëri për të mundësuar kalimin e mjeteve të ngarkuara në fashë orare të përcaktuar, kalimin 24 orë të mjeteve pa ngarkesë si dhe përpunimin e produkteve agro që kërkojnë certifikim,” theksoi ai, duke shtuar se komunikimi vijon edhe me palën kosovare për lehtësime të tjera të mundshme.
Sa i përket mallrave që kanë hyrë tashmë në territorin doganor shqiptar përmes Qafë-Thanës dhe që ndodhen në aksin e bllokuar apo në ambientet doganore, Drejtori Beja sqaroi se është ofruar zgjidhja teknike e përdorimit të regjimit të Transitit të Jashtëm (T1), në përputhje me Kodin Doganor. “Kjo procedurë u jep mundësi operatorëve që mallrat të tranzitohen nga një pikë doganore në një tjetër, përmes një territori jashtë territorit doganor shqiptar, duke garantuar vijimësinë e transportit dhe shmangien e bllokimit të mëtejshëm,” u shpreh ai.
Në përfundim, Drejtori i Përgjithshëm i Doganave theksoi se institucioni është i vetëdijshëm për kostot shtesë dhe vështirësitë e krijuara për biznesin. “Jemi plotësisht të angazhuar për të minimizuar çdo pasojë dhe për të garantuar funksionimin sa më normal të aktivitetit të importit dhe eksportit. Do të vijojmë të informojmë në kohë reale publikun dhe komunitetin e biznesit për çdo zhvillim të mëtejshëm,” përfundoi ai.