Institucioni > Aktivitete të Administratës Doganore >
Konferenca dhe Ekspozita Teknologjike 2026 e Organizatës Botërore të Doganave (WCO), eventi vjetor më i rëndësishëm i OBSh-së në fushën e inovacionit dhe teknologjisë, u çel zyrtarisht sot në Abu Dhabi, Emiratet e Bashkuara Arabe.
E zhvilluar nën temën “Fleksibiliteti Doganor në një Botë Komplekse: Sigurimi dhe Lehtësimi i Tregtisë përmes Inovacionit”, konferenca fokusohet në rolin kyç të teknologjisë dhe zgjidhjeve inovative për forcimin e kapaciteteve doganore në përballimin e rreziqeve në zhvillim, duke garantuar njëkohësisht tregti ndërkufitare më të sigurt, efikase dhe të lehtësuar.
Eventi ka mbledhur mbi 1,500 pjesëmarrës nga më shumë se 100 vende, përfshirë përfaqësues të administratave doganore, organizatave ndërkombëtare dhe sektorit privat. Përgjatë tre ditëve, diskutimet dhe aktivitetet do të vënë në qendër zgjidhje inteligjente dhe risi teknologjike, me synim rritjen e fleksibilitetit dhe efikasitetit të operacioneve doganore, si dhe forcimin e zinxhirëve globalë të furnizimit.
Konferenca u hap zyrtarisht nga Sekretari i Përgjithshëm i WCO-së, z. Ian Saunders, i cili theksoi rëndësinë e partneriteteve të besueshme dhe standardeve moderne për garantimin e sigurisë kufitare, lehtësimin e tregtisë së ligjshme dhe mbrojtjen e shoqërisë. Fjalime kyçe u mbajtën gjithashtu nga Shkëlqesia e Tij Ali Mohammed Hammad Al Shamsi, Kryetar i Autoritetit Federal për Identitetin, Shtetësinë, Doganat dhe Sigurinë e Porteve, si dhe nga Shkëlqesia e Tij Ahmed Abdullah bin Lahij Al Falasi, Drejtor i Përgjithshëm i Doganave dhe Sigurisë së Porteve.
Ekspozita Teknologjike, me mbi 60 stenda, prezanton zgjidhje të avancuara për modernizimin e doganave, përfshirë analizën e të dhënave, automatizimin, ekosistemet digjitale të tregtisë dhe sigurinë kibernetike. Eventi organizohet nga Organizata Botërore e Doganave në bashkëpunim të ngushtë me sektorin privat, duke reflektuar angazhimin e vazhdueshëm për bashkëpunim publik-privat.
Dita e parë e konferencës iu kushtua temës “Sigurimi i kufijve për një tregti më të sigurt”, me diskutime mbi teknologjitë më të reja për zbatimin efektiv të ligjit, përfshirë sistemet inteligjente të skanimit me rreze X, menaxhimin e riskut të mbështetur nga inteligjenca artificiale, zgjidhjet cloud dhe analizën e avancuar të të dhënave për vendimmarrje në kohë reale.
Një nga pikat kulmore të ditës ishte tryeza e rrumbullakët e nivelit të lartë “Fleksibiliteti Doganor në një Botë Komplekse”, e moderuar nga Sekretari i Përgjithshëm i WCO-së, me pjesëmarrjen e drejtuesve të lartë nga administrata doganore, organizata ndërkombëtare dhe ekspertë të teknologjisë, ku u theksua domosdoshmëria e bashkëpunimit të bazuar në të dhëna, standarde moderne dhe teknologji të reja për zinxhirë furnizimi më rezistentë dhe të sigurt.