Institucioni > Aktivitete të Administratës Doganore >
Sot, më 28 janar 2026, në Tiranë, u zhvillua takimi me temë “Public-Private Cooperation and Operational Responses to Security Risks in Express Courier and Postal Parcels”, organizuar nga Zyra e Kombeve të Bashkuara për Drogën dhe Krimin (UNODC) në kuadër të Projektit Hermes, me pjesëmarrjen aktive të Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave.
Takimi u fokusua në forcimin e rolit të administratave doganore në parandalimin, zbulimin dhe adresimin e rreziqeve që lidhen me trafikimin e armëve të zjarrit, pjesëve të tyre, municioneve dhe mallrave të rrezikshme përmes dërgesave postare dhe atyre ekspres, duke nxitur bashkëpunimin e ngushtë me sektorin privat dhe agjencitë ligjzbatuese.
Përfaqësuesit e Doganave Shqiptare kontribuuan në diskutimet mbi:
• identifikimin e kërcënimeve aktuale dhe tendencave të trafikimit në trafikun postar;
• zbatimin e rregullave doganore kombëtare dhe të Bashkimit Evropian nga kompanitë e korrierëve ekspres;
• rëndësinë e dorëzimit të të dhënave para-mbërritjes dhe përdorimin e tyre për analizë efektive të riskut;
• forcimin e kapaciteteve operacionale për kontroll, targetim dhe inspektime të përbashkëta.
Gjatë punës në grupe, Doganat Shqiptare dhanë kontribut në hartimin e masave praktike të bashkëpunimit, përfshirë kërkesat minimale për shkëmbimin e informacionit, procedurat për verifikim në terren dhe prioritetet për trajnime të përbashkëta me kompanitë e korrierëve.
Takimi u mbyll me dakordësimin e rekomandimeve konkrete për ndjekje në nivel kombëtar dhe rajonal, me qëllim rritjen e sigurisë, forcimin e rolit të doganës në menaxhimin e riskut dhe përafrimin me standardet e Bashkimit Evropian.
Projekti Hermes synon luftimin e trafikimit të armëve të zjarrit përmes dërgesave postare dhe atyre ekspres dhe financohet nga Gjermania, Suedia, Holanda, Franca, Mbretëria e Bashkuar dhe Norvegjia, me mbështetjen e Bashkimit Evropian.