Institucioni > Aktivitete të Administratës Doganore >
Sot, në Bruksel, u nënshkrua Memorandumi i Mirëkuptimit ndërmjet Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave të Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga Drejtori i Përgjithshëm, z. Genti Gazheli, dhe Autoritetit të Pavarur për të Ardhurat Publike (IAPR) të Republikës Greke, përfaqësuar nga Guvernatori, z. Georgios Pitsilis.
Ceremonia e nënshkrimit u organizua nga Komisionerja për Zgjerim, znj. Marta Kos, dhe mblodhi drejtues të autoriteteve doganore, si dhe Drejtorin e CEFTA-s dhe Drejtorin e Komunitetit të Transportit.
Ky Memorandum është pjesë e Iniciativës “Green Lanes”, e cila synon thjeshtimin dhe përshpejtimin e kontrolleve kufitare, reduktimin e kohës së pritjes dhe lehtësimin e flukseve tregtare ndërmjet Bashkimit Evropian dhe vendeve partnere të Ballkanit Perëndimor, përmes rritjes së koordinimit dhe shkëmbimit të të dhënave ndërmjet administratave doganore.
Gjatë aktivitetit, Komisionerja Kos theksoi rëndësinë e forcimit të bashkëpunimit doganor për mbështetjen e integrimit rajonal, lehtësimin e tregtisë dhe rritjen e qëndrueshmërisë ekonomike.
Kjo marrëveshje përbën një hap konkret drejt modernizimit të bashkëpunimit doganor dhe përshpejtimit të procedurave kufitare, në përputhje me standardet evropiane dhe objektivat e procesit të integrimit në Bashkimin Evropian.