Institucioni > Aktivitete të Administratës Doganore >
Drejtoria e Përgjithshme e Doganave të Shqipërisë organizoi në Tiranë takimin e parë zyrtar të Trupit Këshillimor të CEFTA-s për Bashkëpunimin Doganor në fushën e Klasifikimit Tarifor dhe Rregullave të Origjinës, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të DG TAXUD të Komisionit Europian dhe të gjitha palëve nënshkruese të Marrëveshjes së CEFTA-s.
Në fjalën e tij përshëndetëse, Drejtori i Përgjithshëm i Doganës Shqiptare, z. Genti Gazheli, theksoi rëndësinë e këtij momenti për forcimin e bashkëpunimit rajonal dhe për thellimin e përafrimit me standardet e Bashkimit Europian në fushën doganore.
“Jam krenar që gjatë presidencës shqiptare të Nënkomitetit të CEFTA-s për Doganat dhe Rregullat e Origjinës, një ndër arritjet më të rëndësishme ka qenë krijimi i këtij Trupi Këshillimor, i cili do të shërbejë për forcimin e bashkëpunimit mes palëve të CEFTA-s dhe për krijimin e një mjedisi më të parashikueshëm për tregtinë e mallrave,” – u shpreh z. Gazheli.
Ai falënderoi gjithashtu ekspertët e DG TAXUD, z. Karel De Greve dhe z. Antonio Blanco, për mbështetjen e vazhdueshme në këtë proces dhe për kontributin e tyre në avancimin e bashkëpunimit të CEFTA-s me institucionet europiane.
Z. Gazheli theksoi se ky trup këshillimor do të shërbejë si platformë për konsultim dhe parandalim të mosmarrëveshjeve në fushën e klasifikimit tarifor dhe origjinës së mallrave, duke ofruar një mekanizëm praktik për zgjidhjen e çështjeve teknike.
Takimi i Tiranës u zhvillua në kuadër të përmbylljes së Presidencës Shqiptare të Nënkomitetit të CEFTA-s për Doganat dhe Rregullat e Origjinës, periudhë gjatë së cilës Dogana Shqiptare ka udhëhequr me sukses disa iniciativa kyçe në drejtim të:
zbatimit të Rregullave të reja të Origjinës sipas Konventës së PEM, të cilat hynë në fuqi më 1 janar 2025;
përparimit në njohjen reciproke të Operatorëve Ekonomikë të Autorizuar (AEO);
zhvillimit të bashkëpunimit doganor në fushën e tregtisë elektronike (e-commerce);
forcimit të funksionalitetit të sistemit SEED+ për shkëmbimin e të dhënave doganore në kohë reale;
dhe nxitjes së “Green Lanes” për lëvizjen më të shpejtë të mallrave në pikat doganore ndërmjet vendeve të CEFTA-s dhe BE-së.
Diskutimet u përqendruan gjithashtu në përgatitjen e Programit të Punës për vitin 2026, në përputhje me objektivat e Tregut të Përbashkët Rajonal (CRM 2.0), me synim thjeshtimin dhe harmonizimin e mëtejshëm të procedurave doganore, lehtësimin e tregtisë dhe përmirësimin e efikasitetit në pikat e kalimit kufitar.
Në përfundim, përfaqësuesit e Doganës Shqiptare shprehën angazhimin për të vijuar mbështetjen e prioriteteve të CEFTA-s edhe gjatë presidencës së ardhshme, duke kontribuar në forcimin e integrimit rajonal dhe afrimin me standardet doganore të Bashkimit Europian.