Institucioni > Aktivitete të Administratës Doganore >
Administrata Doganore Shqiptare mori pjesë në takimin ku u prezantua Kuadri Makroekonomik dhe Politikat Fiskale të Shqipërisë 2030, nga Ministri i Financave, z. Petrit Malaj, në prani të Kryeministrit Edi Rama dhe drejtuesve të institucioneve kryesore ekonomike të vendit.
Gjatë fjalës së tij, Kryeministri Rama theksoi rëndësinë e përmbylljes së konceptit të “Paqes Fiskale” brenda këtij viti, si një proces që do të forcojë partneritetin me sipërmarrjen, do të nxisë rritjen e të ardhurave buxhetore dhe do të ulë nivelin e informalitetit.
Ministri i Financave, z. Malaj, prezantoi vizionin e qeverisë për një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik, përmes politikave të balancuara fiskale dhe monetare, reformave strukturore të thella dhe investimeve strategjike që garantojnë stabilitetin financiar dhe rritjen afatgjatë të ekonomisë.
Në këtë kuadër, Administrata Doganore mbetet një institucion kyç në realizimin e objektivave fiskale dhe në sigurimin e të ardhurave për buxhetin e shtetit. Dogana vazhdon të jetë një nga kontribuuesit kryesorë në të ardhurat kombëtare, përmes TVSH-së në import, akcizave dhe taksave doganore.
Dogana Shqiptare po zbaton reforma që synojnë rritjen e transparencës, lehtësimin e tregtisë dhe modernizimin e proceseve doganore, në përputhje me standardet e Bashkimit Europian dhe objektivat e zhvillimit ekonomik të vendit.